Derdhjet e fekaleve në det, gjoba 10 milionë lekë

28/08/2010 08:10

Inspektorët e mjedisit kanë vijuar punën për ndërprerjen e derdhjes së ujërave të zeza në detin Adriatik.

Mjedisorët, në bashkëpunim me Komunën e Golemit, janë ndalur sërish në zonën e plazhit të Golemit ku është hapur kanali i ujërave të larta duke bërë kështu të dukshme të gjitha derdhjet në të dhe që përfundojnë në det.

Kanali do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe çdo derdhje në të, deri dje e fshehur për shkak të betonimit dhe mospastrimit të tij ndër vite, do të ndëshkohet, sipas mjedisorëve. Në këtë zonë, inspektorët e komunës kanë evidentuar edhe lidhje të reja që përdoren nga subjektet për derdhjen në det të mbetjeve që grumbullohen në gropat septike.

Kryeinspektori i mjedisit, Ilir Bala, deklaron se masat administrative dhe kallëzimet për ndjekje penale të kundërvajtësve do të vijojnë dhe nuk do të mbeten në kuadrin e një aksioni sezonal, ndërsa kërkohet që njësitë e pushtetit vendor të jenë aktive në ushtrimin e kompetencave të tyre si administratore të terreneve ku konstatohet ndotja e ujërave detare, por edhe e tokës.

Gjatë ndërhyrjeve, inspektorët e Mjedisit dhe ata të komunës janë mbështetur nga forcat e stacionit të policisë së Golemit, po nuk ka pasur reagime të kundërvajtësve, apo banorëve të cilët e kanë të qartë se derdhjet në det janë të paligjshme dhe cenojnë shëndetin e tyre dhe të pushuesve. Dje janë vendosur nga mjedisorët dy gjoba në vlerën maksimale të 1 milion lekëve, ndërsa ka vijuar ndëshkimi me masa administrative dhe për subjekte të tjera.

Top Channel