Franca: Sanksione ndaj Iranit nëse ekzekutohet Ashtiani

27/08/2010 15:35

Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner ka kërkuar nga vendet anëtare të BE-së vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Iranit nëse ky i fundit vendos ekzekutimin e të akuzuarës për imoralitet dhe tradhëti bashkëshortore, Sakineh Mohamadi Ashtiani.

Kryediplomati francez nëpërmjet një letre dërguar përfaqësueses së lartë të Unionit, Katherin Ashton i kërkon asaj që të nisë një mesazh të përbashkët për 27 vendet anëtare të BE-së, ku t’u kërkohet angazhim më i madh për të shpëtuar jetën e të dënuarës me vdekje në Teheran. Kushner shkon më tej duke i kërkuar Ashton ndërmarrjen e sanksioneve të reja kundër Iranit për shkelje të të drejtave të njeriut.

Sakineh Mohamadi Ashtiani u shpall fajtore për tradhëti bashkëshortore dhe sipas ligjeve vendase ajo duhet të ekzekutohet me gurë në shesh. Fillimisht edhe Brazili nëpërmjet presidentit Lula i kërkoi Iranit mosekzekutimin e gruas. Madje kreu i Brazilias ofroi edhe azil për shtetasen iraniane, ofertë kjo e cila pavarësisht marrëdhënieve të mira mes dy vendeve, u refuzua nga Republika Islamike.

Top Channel