Durrës, kapen 8 kosovarë me dokumente false

24/08/2010 08:25

Duke shfrytëzuar fluksin e lëvizjeve në portin më të madh të vendit, nëntë persona, mes tyre dhe një grua e re, kanë tentuar të udhëtojnë me tragete drejt Italisë, duke përdorur dokumente të falsifikuara.

Tetë prej tyre janë vënë në pranga, ndërsa një iranian është lënë i lirë dhe po ndiqet penalisht. E ndërsa raportojnë arrestimet e tyre në flagrancë, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit, vetëm mbrëmjen vonë ka bërë raportimin e lëvizjeve përmes vendkalimit kufitar të Portit të Durrësit gjatë kësaj fundjave.

Gjatë gjithë ditës së djeshme është kërkuar pranë saj një informacion mbi fluksin e udhëtarëve, kryesisht emigrantë shqiptarë e kosovarë që kthehen në vendet e punës pas pushimeve në atdhe, por në fund të orarit zyrtar asnjë shifër nuk u dha. Sipas zëdhënëses, drejtuesit e policisë së Portit të Durrësit kanë qenë të ngarkuar me arrestimet e personave me dokumente false.

Insistimi për të dhënë pak shifra për fluksin mori përgjigje negative, deri në orën 18:30, pas përfundimit të orarit zyrtar. Nga shifrat e raportuara rezultoi një shtim i numrit të personave që dalin nga Porti i Durrësit në drejtim të Italisë. Nga të dhënat mësohet se ka rezultuar se kanë dalë nga Porti i Durrësit 32194 shtetas shqiptarë, ndërkohë që kanë zgjedhur këtë pikë kalimi kufitar edhe 45588 shtetas të huaj.

“Shërbimet e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Durrës, krahas masave të marra në drejtim të përpunimit në kohë të fluksit të shtetasve e automjeteve në hyrje e dalje në Pikat e Kalimit Kufitar të Portit të Durrësit e Shëngjinit, përpiqen të mos lënë pas dore dhe përpunimin cilësor të këtij fluksi, duke u angazhuar në drejtim të kontrollit të personave, të cilët duke përfituar nga masiviteti i lëvizjeve, përdorin metoda të ndryshme për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin drejt Italisë”, thuhet në njoftimin për shtyp të kësaj drejtorie policore. Gjatë fundjavës, nga këto shërbime u bë identifikimi i nëntë shtetasve, të cilët duke përdorur dokumente udhëtimi të falsifikuara (tërësisht apo pjesërisht), tentonin të udhëtonin me tragete të linjave detare drejt Italisë.

Të gjithë të arrestuarit janë shtetas kosovarë, të cilët për të kaluar në Gadishullin Apenin kanë bërë ndërhyrje në dokumentet e tyre të udhëtimit për të kapërcyer kufirin përballë një regjimi vizash të ngurtë që gjithnjë e më shumë po aplikohet në Kosovë. Policia njoftoi arrestimet në flagrancë të: 26- vjeçarit Valon Krasniqi, nga Malisheva, të Driton Veliut, 34 vjeç dhe Gëzim Malësorit 27 vjeç, të dy nga Rahoveci, 25-vjeçares Fahrije Buzhala nga Skënderaj, Semedin Gashi, 34 vjeç nga Suhareka, Trojan Panikaj, 39 vjeç nga Prizreni, Bekim Murtezi, 26 vjeç nga Ferizaj dhe Driton Hajdaraj, 19 vjeç, nga Gllogovci. Këta shtetas kanë pasur pasaporta kosovare, por me viza sllovene, leje qëndrimi zvicerane dhe gjermane që dyshohet të jenë të falsifikuara dhe kryesisht me ndërhyrje në afatet e vlefshmërisë së tyre.

Top Channel