Lazarat, asgjësohen 600 rrënjë kanabis sativa

21/08/2010 17:50

Mbi 600 rrënjë kanabis sativa të mbjella në Lazarat janë asgjësuar nga policia e cila ka arrestuar edhe një banor të këtij fshati me akuzën e kultivimit të bimës narkotike.

Bimët e mbjella janë gjetur në fshatin Lazarat, në lagjen e re, në afërsi të vendit të quajtur “Bregu i Spilos”.

Ato ishin vendosur ne tre parcela me nga 200 rrënjë. Si rezultat i operacionit “Lindja e diellit” është bërë e mundur kapja mëngjesin e sotëm të shtetasit Bersand Rabaj, i datëlindjes 1986, lindur dhe banues në Lazarat.

Dy persona të tjerë munden të largohen me një automjet të indetifikuar nga policia.

Ata janë identifikuar dhe shpallur në kërkim.

Ndërkohë në vendin e kultivitmit të drogës është gjetur edhe një sasi e madhe municioni luftarak.

Pak javë më parë në një takim të zhvilluar në fshatin Lazarat përfaqësues të banorëve dhe të pushtetit vendor deklaruan se Lazarati nuk do të kultivonte më hashash.

Premtimi u bë në një takim me ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha.

Top Channel