Basha inspekton kufirin

21/08/2010 19:30

Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha inspektoi veprimtarinë e strukturave policore të qarkut të Korçës.

Në pikën kufitare të Kapshitcës, Basha pa nga afër se çfarë proçedurash ndiqen për kontrollin dhe kalimin e qytetarëve nga kufiri shqiptar për në tokën greke dhe anasjelltas.

Gjatë një takimi me përfaqësues të pikës kufitare greke, ministri i Brendshëm theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis 2 palëve për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve edhe në ditët në vazhdim.

“Ju kërkoj që të vazhdoni këtë bashkëpunim deri në përfundim të sezonit në mënyrë që edhe kthimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi të jetë sa më i qetë, sa më i lehtë”, është shprehur Basha.

Në takimin me drejtuesit e strukturave policore të Qarkut Korçë, ministri Basha vlerësoi faktin se falë masave të ndërmarra është garantuar rendi e qetësia gjatë sezonit turistik. Basha gjithashtu kërkoi “zero tolerancë” ndaj atyre që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor.

“Fatkeqësisht nuk u arrit që të miratoheshin ndryshimet në Kodin Rrugor, megjithatë struktura e re, mjetet që janë vënë në dispozicion kanë përgjegjësinë e plotë që nëpërmjet një qëndrimi thellësisht rigoroz të parandalojnë dhe godasin çdo shkelje në qarkullimin rrugor. Porosia është që me këto norma që kemi në zbatim dhe me këtë Kod Rrugor që kemi në zbatim, të dëshmohet zero tolerancë ndaj kundravajtësve”, theksoi Basha.

Ministri kërkoi vëmendje maksimale për kontrollin e kufirit të gjelbër, ndërsa tha se duhet bërë edhe riorganizimi i burimeve njerëzore të Policisë Kufitare pas liberalizimit të vizave.

Top Channel