Helmimet, urgjenca e infektivit mbushet plot

20/08/2010 08:35

Virozat e stinës, helmimet, problemet me gastroenteritet e çrregullimet e aparatit tretës janë bërë më shumë se shqetësues këtë javë për kryeqytetasit.

Shifrat e pritjeve dhe përcjelljeve të stafit në shërbimin e infektivit në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” e kanë kaluar normalitetin, bashkë me problematikën e verës. Brenda 24 orëve, në shërbimin e infektivit paraqiten rreth 110-120 persona. Të gjithë janë të prekur nga virozat, helmimet, shqetësimet gastrointestinale dhe dehidratimi.

Por edhe pse fluksi është i lartë, deri tani qendra e ka përballuar, duke shtuar si dozat e medikamenteve, ashtu edhe shërbimin e vizitave e trajtimeve për pacientët që kërkojnë kujdes shëndetësor. Nga ana tjetër, si qendra spitalore ashtu edhe Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga qytetarët që për probleme të tilla t’i drejtohen qendrave shëndetësore, por edhe poliklinikave. Shërbimi është i njëjtë, kështu marrin edhe shërbimin e kërkuar, por nga ana tjetër, shmanget edhe fluksi i pacientëve që ka mbipopulluar qendrën spitalore.

Mjeket e shërbimit infektiv thonë se ka një fluks e dyndje pacientësh që mund të përkufizohet si e panevojshme. Qytetarët kërkojnë me insistim të marrin mjekim. Sipas shërbimit të statistikës, në spitalin infektiv në QSUT, paraqiten çdo ditë mbi 110 raste nga të cilat shumica, duhet të marrin mjekim tek mjekët e familjes, por që në të vërtetë të gjithë drejtohen në dyert e infektivit.

Pavarësisht se mjekët e spitaleve duhet të zbatojnë sistemin e referimit, në këtë rast janë qytetarët ata që po e neglizhojnë atë çka sipas mjekëve po sjell një situatë anormale në këto ditë gushti. Helmimet nga ushqimet janë rastet më të shpeshta ndërkohë grupmoshat janë nga me të ndryshmet.

Sipas mjekëve, shumica e pacientëve kanë qenë raste të lehta, që pasi kanë marrë mjekim kthehen në shtëpi, ndërkohë që nuk kanë munguar edhe rastet e rënda.

Fluksi i madh i pacientëve që janë drejtuar këto ditë të nxehta në urgjencën e pavijonit infektiv apo atë të pediatrisë, shpeshherë ka krijuar edhe mungesa të medikamenteve për trajtimin e helmimeve të ndryshme apo të diarreve. Drejtori i përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, u kërkoi qytetarëve që për probleme gastro-intensinale duhet të drejtohen nëpër poliklinika. Këto qendra shëndetësore funksionojnë nga ora 8:00 e mëngjesit deri në orën 20:00 dhe ku ky shërbim ofrohet i njëjtë me atë në spital.

“Nuk ka arsye që për të marrë serume, të shkohet në QSUT. I këshilloj qytetarët që të shkojnë nëpër klinikat e lagjeve ku ofrohet i njëjti shërbim”, u shpreh drejtori i Politikave Shëndetësore, Pëllumb Pipero. Sipas Piperos, në të gjitha poliklinikat mund të merret serum apo medikamente të tjera në rastet e dehidratimit, helmimit apo problemeve të tjera gastro-intensinale. Madje kushtet, sipas tij janë edhe më komode se sa në pavijonin infektiv, ku mesatarisht në ditë, paraqiten 120 persona.

Top Channel