Opozita: Vokshi shkeli ligjin

18/08/2010 19:40

Partia Socialiste ka akuzuar deputeten Albana Vokshi se ka shkelur ligjin për deklarimin e pasurisë, duke fshehur pasurinë e saj dhe të personit me të cilin bashkëjeton.

Për këtë arsye, opozita ka kërkuar nisjen e hetimeve të menjëhershme nga inspektoriati i lartë i deklarimit të pasurisë dhe organe të tjera kompetente.

“Ish-këshilltarja e kryeministrit Berisha, aktualisht deputetja Albana Vokshi në deklaratën e pasurisë që ka plotësuar nuk kishte përfshirë babain e fëmijëve të saj me të cilin bashkëjeton, Arian Tartarin me pretendimin se ligji nuk e parashikonte një marrëdhënie të tillë”, është shprehur Shalsi, nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së.

“Për fatin e keq të zonjës Vokshi e gjithë kjo është një alibi që nuk e nxjerr atë nga bataku ku është zhytur. Ligji shqiptar e parashikon fare qartë, të zezë mbi të bardhë, detyrimin e zyrtarëve dhe deputetëve për të deklaruar pasurinë apo interesat e biznesit të personit më të cilin bashkëjetojnë. Ja ku ështe ligji”, tha Shalsi.

“Më pastër nuk ka si të përcaktohet. Kemi të bëjmë me një shmangie, me një mosplotësim të deklaratës vetëm e vetëm për të fshehur aferën korruptive që fshihet pas bizneseve të këtyre njerëzve në shërbim të familjes në pushtet. Partia Socialiste i kërkon ILDKP që të fillojë menjëherë hetimin administrativ për mosdeklarimin e Albana Vokshit”, theksoi Shalsi.

Top Channel