Letra, PS: Meta ta bëjë transparente

14/08/2010 19:50

Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë vijuar përplasjet në distancë për letrën e ministrit të Jashtëm Ilir Meta për ambasadorin Withers dhe përgjigjen e ashpër të ardhur nga ndihmëssekretari i Shtetit, Philip Gordon.

PS ka kërkuar përmes deputetit dhe nënkryetarit të grupit parlamentar Saimir Tahiri zbardhjen e plotë të letrës së dërguar nga pala shqiptare, si një moment që sipas selisë rozë ka lidhje me të gjithë shqiptarët dhe me marrëdhëniet e tyre me SHBA.

“Partia Socialiste i kërkon Sali Berishës dhe Ilir Metës të bëjnë menjëherë transparente dhe publike letrën që i kanë dërguar Departamentit amerikan të Shtetit. Shqiptarët kanë të drejtë të dinë çfarë është shkruar në fletërrufenë që kanë dërguar në emër të popullit këta dy përfaqësues të interesave të errëta private e jo të shqiptarëve”, ka deklaruar Tahiri.

PS i kërkoi presidentit të Republikës Bamir Topi të marrë në dorë situatën dhe të ushtrojë autoritetin e tij për të bërë transparencë të plotë mbi këtë rast.

“Të ndërhyjë menjëherë për të bërë transparencë mbi letrën e dërguar nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm, të kërkojë publikimin e saj, të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm me qëllim shmangien e çdo situate të papëlqyeshme me partnerët tanë ndërkombëtarë për shkak të papërgjegjshëmrisë së kryeministrit dhe shërbëtorëve të tij”, ka kërkuar Tahiri.

Por LSi ka hedhur poshtë sërish ekzistencën e një letër ankese nga ana e ministrit të Jashtëm Ilir Meta, duke e cilësuar gjithcka si një tymnajë të pavërtetë dhe të mbështetur në abuzim.

“Natyrisht që komentet, keqpërdorja me tendenca të spikatura skizofrenie të bëra në mënyrë të qëllimshme nga kryetari i PS-së nuk cenojnë thelbin e shkëlqyer të marrëdhënieve midis zotit Meta dhe zotit Withers, nga njëra anë, dhe midis qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së SHBA-ve nga ana tjetër, përveçse pasqyrojnë faktin se të tilla praktika të sjellin në kujtesë historitë e Kim Filbin, historitë e 60 viteve më parë, të cilat mesa duket janë preferenciale për kryetarin e Partisë Socialiste, i cili në mungesë të alternativës, në mungesë të kontributeve reale kërkon të na shfaqet si një Kim Filbi i kohërave të reja në historitë midis Shqipërisë dhe SHBA-ve dhe në fakt e bëjnë atë të jetë shumë më grotesk dhe shumë me qesharak sa vetë Don Kishoti dhe historitë e tij”, ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama.

Një ditë më parë Top Channel publikoi origjinalin e letrës së mbërritur në tavolinën e ministrit të Jashtëm Ilir Meta, ku që në hyrje të saj ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Philip Gordon shkruan se letra është një përgjigje e letrës së dërguar në fund të muajit maj nga vetë kreu i diplomacisë shqiptare në Departamentin e Shtetit.

Top Channel