Kukës, helmim nga ushqimet

11/08/2010 12:25

Të paktën 30 banorë të Kukësit shtrohen çdo ditë në spitalin rajonal të këtij qyteti si pasojë e helmimit nga ushqimet e blera në tregun e fruta perimeve.

Mjekët e spitalit thonë se shifrat bëhen alarmante dita ditës. Mjekët konfirmojnë se, numri ka ardhur në rritje me temperaturat e larta në këto dite vere.

Sipas tyre, shkaku kryesor është konsumimi i perimeve, që rrinë për një kohë të gjatë në tregun e qytetit pa u shitur për shkak të çmimeve të larta. Ndërkohë që kur fillojnë të kalben tregtarët i shesin ato.

“Temperaturat e larta kanë sjellë numrin e personave të helmuar nga ushqimet. Konsumimi i zarzavateve që kanë ndenjur për një shumë kohe të gjatë në diell çon në helimimin e personave”, është shprehur Mark Nufi, mjek në Spitalin Rajonal, Kukës.

Në urgjencën e spitalit rajonal të Kukësit, vërehet një numër i konsiderueshëm i fëmijëve të cilët preken nga konsumimi i ushqimeve të prishura. Statistikat tregojnë se nga 30 persona që shtrohen çdo ditë, 20 prej tyre janë fëmijë.

Top Channel