Protesta, bllokohet Llogaraja

10/08/2010 19:50

Dhjetra banorë të fshatit Dukat, në Vlorë, kanë protestuar duke bllokuar rrugën nacionale që të çon për në Llogora, pak orë pasi policia shoqëroi gjashtë të rinj për një protestë të mëparshme nëpërmjet të cilës kërkoheshin tokat e këtij fshati. (UPDATE)

Bllokimi i rrugës nga Fushë Orikumi deri në fshatin Dukat, ka zgjatur nga ora 1 e mbasdites deri rreth orës katër. Ndërkohë që është krijuar një rradhë prej tetë kilometrash me automjete të qytetarëve që ktheheshin nga pushimet apo anasjelltas.

“Qeveritarët qoftë të majtë, të djathtë apo të qendrës thonë se Dukati ka rënë nga Marsi dhe nuk kanë asnjë pronë”, shprehet një banor i zonës.

Mësohet se në total në këtë protestë u përfshinë rreth 300 të rinj të fshatit Dukat të cilët pasi kishin bllokuar rrugën me gurë dhe kishin hedhur vaj makine në rrugë në mënyrë që automjetet të mos ngjiteshin dot në malin Llogora, kanë qendruar grumbull me shkopinj dhe shufra hekuri në duar.

Gjatë kësaj kohe ata kanë kërkuar rikthimin e bashkëfshatarëve të tyre pranë shtëpisë.

Ndërkohë që policia është përpjekur të negociojë për shpërndarjen e njerëzve, por pa rezultat.

Kjo gjendje ka zgjatur derisa policia ka pranuar dhe ka liruar të rinjtë çka ka sjellë edhe zhbllokimin e rrugës për rrjedhim largimin e dhjetra makinave që qëndruan peng i kësaj çështjeje.

Top Channel