Presidenti, Berisha: Asnjë ligj nga qeveria

10/08/2010 16:05

Kryeministri Sali Berisha, i cili e ka zhvendosur këto ditë aktivitetin e tij nga godina e qeverisë në vilën e pushimit në Dhërmi, gjatë konferencës së shtypit në kalanë e Himarës, i dha përgjigje edhe disa pyetjeve të vjetra dhe të reja rreth situatës politike në vend.

Njëra prej tyre ka të bëjë me diskutimin, nëse presidenti duhet të funksionojë sipas një ligji organik, miratimi i të cilit kërkon 84 vota në parlament.

Për kryeministrin Berisha kjo çështje nuk është në axhendën e qeverisë.

Për ish-presidentin Berisha, zbatimi korrekt i Kushtetutës nga kreu i shtetit është themel i fortë për përmbushjen e kompetencave presidenciale.

“A mund të ketë ligj për presidencën? Shumica e vendeve e kanë. Por, nga ana tjetër, dua të theksoj se detyrimet kushtetuese janë më eprore, se të gjitha detyrimet e tjera ligjore. Pra, në qoftë se parlamenti funksionon mbi bazën e një ligji, sepse ka një veprimtari të përditshme, të gjerë, të shumëllojtë, presidenti funksionon mbi bazën e përcaktimeve kushtetuese. Zbatimi i tyre me korrektesë është ligji më i mirë për presidencën e vendit. Unë, natyrisht, ndjek me interes iniciativat e deputetëve. Qeveria vetë nuk ka ndërmend të marrë ndonjë nismë që të bëjë ligjin për presidencën. Kemi axhenda të tjera”, është shprehur Berisha.

Përsa i përket dosjes ende të pambyllur nga opozita të hetimit të zgjedhjeve të kaluara, kryeministri Berisha iu referua rezolutës së parlamentit europian, që, sipas tij, ndryshe nga sa thotë Partia Socialiste, nuk përfshin hetimin e fletëve të votimit.

“Rezoluta përcakton qartë se çfarë duhet të hetohet dhe unë i qëndroj plotësisht asaj. 547 deputetë europianë votuan për materialet e votimit, të cilat nuk përfshijnë fletët e votimit. Të gjitha të tjerat, çka është në kuadrin ligjor, çka është në kuadrin kushtetues, qëndroj plotësisht i vendosur të bashkëpunoj me opozitën”, tha kreu i qeverisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA