INSTAT: Bien çmimet me 0.5%

10/08/2010 09:00

Produktet bujqësore të stinës kanë ndikuar në uljen e çmimeve në tërësi në vend, si pasojë e rritjes së prodhimit dhe mbulimit të kërkesës në treg.

INSTAT deklaroi dje se çmimet në muajin korrik kishin pësuar një ulje të lehtë me 0.5 për qind, duke shënuar një nivel inflacioni prej 3.4 për qind, që konsiderohet ende i lartë, madje i rritur në krahasim me muajin qershor, që ishte 3.2 për qind.

Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” dha ndikimin më të madh në zbutjen e çmimeve, pasi shënoi një ulje prej 1.3 për qind, ku brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 8.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”.

Këtu INSTAT përmend uljen e çmimit të patëllxhanëve me 33.3 për qind, specave me 31.5 për qind, qepëve të thata me 26 për qind, domateve me 8.6 për qind, kastravecëve me 4.7 për qind, etj.

Edhe çmimet e nëngrupit “fruta” shënuan një ulje prej 3.3 për qind, ku mund të përmendim uljen e çmimit të shalqirit, me 17.8 për qind, pjeprit me 12.5 për qind, etj.

Ndërsa çmimet e disa frutave të tjera shënuan rritje gjatë këtij muaji, ku mund të veçojmë rritjet e çmimeve të kivit me 4.0 për qind, limonëve me 2.5 për qind, portokajve me 1.0 për qind etj.

Top Channel