Tiranë, tregjet e hapura jashtë standarteve

09/08/2010 16:10

Tregjet e hapura të kryeqytetit në këtë sezon veror jo gjithmonë kanë sigurinë e duhur. Më problematike janë ato ku tregtohen mallrat ushqimore.

Në tregun e rrugës Bardhyl, në buzë të trotuarit shitet gjithcka, fruta e perime, të cilat fillimisht tërheqin mizat dhe më pas produkte bulmeti, të cilat nuk plotësojnë asnjë standart.

Qytetarët shprehen të shqetësuar për situatë, por edhe të detyruar t’i blejnë ushqimet tek tregu më i afërt.

“Po shikojmë që janë të hapura dhe kemi frikë t’i blejmë, nuk ka siguri. Fruta e perime i blejmë, por bulmetet jo. Por s’kemi c’të bëjmë, këtu do të vijmë”, thotë një banore.

Në ambjentet e ish-uzinës “Dinamo”, tashmë e kthyer në një treg, gjen një mori shitësish që tregtojnë pa asnjë siguri qumështin, vezën dhe produkte të tjera të hapura.

“Deri tani s’më ka dalë asnjë vezë e prishur, i blej gjithmonë këtu dhe nuk kam pasur asnjëherë probleme”, thotë një konsumatore.

E njëjta situatë paraqitet edhe në tregun në rrugën Don Bosko, ku pavarësisht kontrolleve të inspektorëve, standartet e sigurisë mbeten të ulëta.  

Top Channel