Vokshi: Nuk kam favorizuar asnjë biznes

07/08/2010 19:45

Pas akuzave të opozitës reagoi edhe deputetja Albana Vokshi nëpërmjet një deklarate të shpërndarë për mediat.

Në të thuhe se: “së pari, mungesa në legjislacionin shqiptar e rubrikës për deklarimin e pasurisë për partnerët bashkëjetues, e ka bërë të pamundur deklarimin nga ana ime te pasurisë së zotit Arian Tartari. Sapo ligji të parashikojë rubrikën përkatëse, unë do të zbatoj me përpikmëri kërkesat e tij, ashtu sic kam bërë dhe deri tani”.

Më pas në deklaratë thuhet se Arjan Tartari ka filluar bizneset e tij që në vitin 1990 dhe ka punuar pa ndërprerje dhe me korrektesën më të madhe pavarësisht se cila parti ka qeverisur.

“Dëshiroj të sqaroj shqiptarët se nuk kam bërë as edhe një ndërhyrje në favor të biznesit të tij, as për leje ndërtimi, as për licenca të tjera. Në rast se vërtetohet e kundërta, jam e gatshme të heq dorë nga mandati im”, shprehet Vokshi.

Në fund të deklaratës së saj, deputetja e PD shkruan se do t’i drejtohet gjykatës kundër këtyre shpifjeve.

Top Channel