Vlorë, uji jashtë standarteve

06/08/2010 19:55

Pas pezullimit të disa subjeketve që tregtonin ujë të pijshëm në Tiranë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka pezulluar dy subjekte të prodhimit të ujit në qarkun e Vlorës, të cilat nuk përmbushin kushtet higjeno-sanitare.

“Janë kontrolluar 3 subjekte që ambalazhojnë dhe tregtojnë ujë të pijshëm. Në dy nga këto janë konstatuar mangësi të kushteve teknologjike, prandaj kemi marrë masë për heqjen e tyre nga tregu”, ka deklaruar Arsen Mustafaraj, drejtor i Inspektoriatit të Ushqimit në Vlorë.

Autoriteti i Ushqimit në Vlorë ka pezulluar subjektin me emrin “Llogara”, i cili prodhon dhe tregton ujin e pijshëm me logon “Sorkadhja”, pasi nuk kishte linjë për prodhimin e ujit me ambalazh 6 litra, filtrat mekanikë ishin të papastër, nuk bënte analizat laboratorike të ujit që tregtonte dhe nuk dipsononte licensë për të ushtruar këtë aktivitet.

Një tjetër subjekt i pezulluar është ai me emrin “Pango”, prodhues i ujit të pijshëm me logon “Llogara”, në të cilin linja e prodhimit nuk plotësonte kushtet tekonologjike për prodhimin e ujit të pijshëm dhe kushtet higjeno-sanitare.

Inspektorët kanë ushtruar kontroll edhe në tregun ambulant pranë PTT-së në Vlorë, ku 12 tregtarë janë paralajmëruar pasi tregtonin jashtë kushteve higjeno-sanitare.

Top Channel