Vasili: Koalicioni funksional

05/08/2010 16:30

Pavarësisht qëndrimit të ndryshëm për dy çështje mjaft të rëndësishme siç janë projektligji për Shërbimin Informativ Shtetëror dhe marrëdhënia me presidentin e Republikës, koalicioni mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka pësuar çarje.

LSI paralajmëron të njëjtin pozicionim edhe në shtator, por kjo sipas nënkryetarit Petrit Vasili nuk është tregues i një krize mes palëve, por i dimensionit të ri të bashkëjetesës brenda një kabineti të dy forcave përfaqësuese të kaheve të ndryshme politike.

“Ekzigjencat për të pasur një ligj sa më të mirë për SHISH-in, sot është më i domosdoshëm se kurrë. Çdo ditë reflektimi është pozitive. Shqipëria ka një llogore për luftën ndaj krimit të organizuar dhe ky ligj duhet t’i shërbejë kësaj lufte. Dhe çdo ligj i mirë i bën mirë jo vetëm Shqipërisë, por edhe aleancave në të cilat bën pjesë”, deklaroi Vasili.

I njëjtë do të jetë edhe qëndrimi për presidentin e Republikës, Bamir Topi në të kundërt të demokratëve, LSI-ja ka një gjuhë më të zbutur dhe bashkëpunuese.

“Ka mjaft mundësi për një bashkëpunim në përputhje me Kushtetutën. Kahja jonë e të folurit ka qenë bashkëpunim mes institucioneve në respektim të Kushtetutës”, tha Vasili.

Pavarësisht pozicioneve, zoti Vasili në kundërshtim me atë që kanë deklaruar socialistët, nuk sheh asnjë krizë votash në gjirin e shumicës aktuale.

“Reminishencat e mazhorancave të rrethuara rreth partisë kryesore u ka ikur koha, pasi s’jemi me në vitin ’90, por në një kohë tjetër”, theksoi ai.

Nënkryetari i LSI-së problemin e vërtetë e sheh tek mënyra e funksionimit të opozitës, e cila sipas tij duhet të bashkëpunojë në të mirë të vendit, por duke bërë më parë një analizë të detajuar të rrugës që ka ndjekur deri me tani.

Për zotin Vasili radikalizimi sërish i qëndrimit të socialistëve do të ishte një hap edhe më i madh pas.

“Gjithë mjedisi evropian nuk na ofron modele të tilla të të bërit të opozitës”, përfundoi Vasili.

Top Channel