PS, akuza për korrupsion

05/08/2010 16:10

Pas ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti, socialistët kanë shenjestruar deputeten e mazhorancës Albana Vokshi e cila sipas tyre ka përfituar favore ku përfshihen shuma marramendëse parash si pasojë e marrjes me konçesion të dy hidrocentraleve.

Kompania “Albaenergiaplus” e themeluar në vitin 2006 nga Arian Tartari, bashkëshorti i zonjës Vokshi, ka përfituar plot dy konçesione hidrocentralesh: hidrocentralin Suha2 dhe një tjetër mbi lumin Kardhiq.

Ajo çka të bën përshtypje është se në të dy rastet, kompanisë së bashkëshortit të zonjës Vokshi, i është dashur bonusi i dhënë nga Ministria e Ekonomisë për të dalë firmë fituese në tender.

Sipas socialistëve, të dy tenderat në të cilët janë përfituar konçesionet për ndërtimin e hidrocentraleve janë bërë me shkelje të forta ligjore dhe në mënyrë korruptive.

“Subjektit ‘Albaenergiaplus’ i Albana Vokshit, në atë kohë këshilltare për ekonominë e Berishës, i është dhënë me vendim të vetë kryeministrit, bonus prej 1% të pikëve në tenderin për hidrocentralin mbi lumin Kardhiq. Po ashtu, në datën 11 korrik 2007, po me vendim të kryeministrit Berisha, kompanisë së këshilltares për Ekonominë, Albana Vokshi, i është dhënë një tjetër bonus në tender, këtë herë plot 10%, për të përfituar sërish një koncesion hidrocentrali, Suha 2”, deklaroi deputetja socialiste, Mimi Kodheli.

Për PS-në këshilltarja e kryeministrit, sot deputete, Albana Vokshi ka abuzuar me detyrën duke përfituar vetë përmes kompanisë së bashkëshortit të saj dy konçesionet të cilët i kanë dhuruar përfitime marramendëse.

Top Channel