Rritet bashkëpunimi komunitet-polici

04/08/2010 16:15

Cdo ditë në sallën operative të Tiranës rregjistrohen 60 telefonata nëpërmjet të cilave qytetarë të rrezikuar nga sulme në rrugë i kanë kërkuar ndihmë policisë, apo të tjerë që denoncojnë ndërsa bëhen dëshmitarë të një skene dhune, apo ngjarjeje të tjera.

Në total, vetëm për korrikun janë rregjistruar 831 telefonata, që kanë ndihmuar në zgjidhjen e një situate.

“Kohët e fundit janë rritur ndjeshëm telefonatat nga qytetarët për dhunë në famlje, prishje të rendit dhe për vepra të tjera penale. Zakonisht merret telefonata, evidentohet adresa nga merr qytetari, ndoshta edhe pa i kërkuar identitetin dhe pastaj këtë ua kalojmë komisariateve nga njëshi tek gjashta”, deklaron Avni Lilo, specialist drejtim-koordinimi.

Ajo cfarë specialistët evidentojnë si tendencë në rritje është denoncimi i dhunës në familje nëpërmjet numrit pa pagesë 129, por edhe denoncimi i prishjes së qetësisë.

“Kjo ka ardhur si rezultat i vlerësimit që bëhet nga vetë policia, në zgjidhjen e shpejtë të problemeve që sinjalizohen me këto telefonata. Kjo tregon besimin që ka komuniteti tek policia në zgjidhjen e problemeve”, shton Lilo.

Sipas burimeve, mësohet se këto telefonata kanë ndikuar në parandalimin e ngjarjeve që mund të precipitojnë në krim, por edhe për të kapur persona të implikuar.

Megjithë ndërgjegjësimin për denoncimin e ngjarjeve kriminale, shpresohet që shifrat të vijnë në rritje edhe për të telefonuar shpërndarjen dhe përdorimin e droges dhe armëmbajtjen pa leje.

Top Channel