Berisha: Luftë korrupsionit e krimit të organizuar

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se heqja e viza është një nga objektivat më të mëdha të qeverisë shqiptare dhe për këtë duhen përmbushur të gjitha standardet e kërkuara nga BE.

Duke folur në mbledhjen e qeverisë ai ka vënë theksin tek lufta ndaj korrupsionit dhe lufta ndaj krimit të organizuar.

“Vizat dhe heqja e tyre përbëjnë një nga objektivat më madhorë të programit të kësaj qeverie dhe kjo përbën një nga arritjet më të mëdha të shqiptarëve”, është shprehur Berisha.

“Lufta ndaj korrupsionit është një luftë e pasosur, por është një luftë që shënon suksese dhe në këtë aspekt shqyrtimi i përpjekjeve tona është domosdoshmëri. Po kështu lufta kundër krimit të organizuar është një tjetër luftë e rëndësishme”, theksoi Berisha.

“Makineria jonë duhet të shohë sesi të përmirësohët me tej në këto dy çështje themelore”, shtoi ai.

Duke folur për situatën ekonomike në vend, Berisha tha se ka një rritje të ndjeshme të eksporteve në muajin korrik. Ai ka theksuar se ka edhe një rritje të ndjeshme të turizmit dhe kjo falë “Rrugës së kombit”.

“Në rrafshin ekonomik korriku është muaji me lajme qartësisht pozitive. Treguesi më i ndjeshëm i prodhimit janë eksportet. Për muajin korrik ka një rritje të tyre prej 65 përqindësh. Eksporti i materialeve të importuara është rritur prej 29 përqindësh në 7 muaj. Kjo do të thotë se ka një rritje të ndjeshme të punësimit”, tha Berisha.

“E gjithë kjo rritje është kontribut i ‘Rrugës së kombit’. Vitin që shkoi hynë rreth rreth 3 milionë turistë nëpërmjet kësaj rrugë. Nuk ka vend tjetër që për pesë vjet të 10 fishojë turizmin siç ka ndodhur tek ne. Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë destinacioni më tërheqës”, shtoi kryeministri.

Top Channel