Qeveria vazhdon sulmet ndaj Topit

03/08/2010 08:15

Ministri i Drejtësisë i kërkoi dje, në mënyrë urgjente, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të drejtuar nga Presidenti Bamir Topi, që të përgatisë listën e renditjes së gjyqtarëve e cila shërben për vlerësimin e tyre.

Apeli erdhi dje nga ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, pas një raporti të ekspertëve të Komisionit Europian në lidhje me problemet në drejtësinë shqiptare.

“Ekspertët e KE konstatojnë se ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor përmban një dispozitë për krijimin e një liste të përhershme të renditjes së gjyqtarëve, sipas rezultateve të vlerësimit të tyre, bazuar në kritere të vlerësimit hartuar nga KLD. Një listë që sikundër citohet, nuk ekziston”, thekson ministri i Drejtësisë, Nishani.

Nisur nga kjo situatë, Ministria e Drejtësisë i është drejtuar me një kërkesë konkrete KLD-së për hartimin sa më shpejt të kësaj liste.

“Nëse procedura hartohet sipas ligjit, kjo do të garantonte dhe funksionimin me transparencë të procesit për vlerësimin e gjyqtarëve”, thekson ministri i Drejtësisë, duke argumentuar edhe rëndësinë e hartimit të saj.

Po kështu, në raportin e ekspertëve të Komisionit Europian vërehen tone mosbesimi për sa i përket sistemit gjyqësor shqiptar.

Top Channel