Berisha: 400 milionë usd për rrugët rajonale

30/07/2010 17:30

Kryeministri i vendit Sali Berisha, në mbledhjen e Komitetit për zhvillimin e rajoneve, ka rikonfirmuar angazhimin e qeverisë së tij për ristrukturimin e akseve rrugore rajonale.

Berisha ka deklaruar se kabineti i tij ka hartuar një sërë projektesh që përfshijnë veriun dhe jugun e vendit dhe që kapin shifrën e 400 milionë dollarëve.

“Janë mbi 320 projekte nga Saranda në Tropojë. Këto rrugë kanë një shtrirje në të gjitha qarqet e vendit, nga ai i Kukësit në atë të Gjirokastrës. Këto janë rrugë me impakt të madh për qarqet, sepse janë rrugë rajonale, për të cilat në 4 vjet qeveria ka garantuar edhe 400 milionë dollarë të tjera”, ka pohuar Berisha.

Kreu i qeverisë ka bërë të ditur se projektet për zhvillimin e rajoneve përfshijnë edhe infrastrukturën e qarqeve, si dhe rimëkëmbjen e bujqësisë nëpër fshatra ku ky sektor ndodhet në gjëndje të vështirë.

“Fondi i zhvillimit të rajoneve përfshin të gjitha financimet që bëhen në rajonet e vendit, ujësjellësa e kanalizime, shkolla e kopshte, si dhe kredi të buta për fermerët. Nuk është Shqipëria kuartieri i ndërtesave vetëm në Tiranë. Mbi 40 për qind e shqiptarëve jetojnë në fshat, me problematikë jo të vogël, por me përpjekje shumë të mëdha për të ndryshuar jetën e tyre”, ka theksuar Berisha.

Kryeministri ka shtuar më tej se qeveria këtë vit ka rritur financimin për fermerët dhe se po kombinohen të gjitha format, nga kreditë e buta dhe grantet, deri tek kreditë e forta.
 

Top Channel