Itali, shqiptarët arratisen nga burgu

27/07/2010 01:15

Një tjetër arratisje spektakolare të burgosurish shqiptarë ndodhi këtë herë në burgun e Pizës në Itali.

Dy të rinjtë, Bledar Shehu 27 vjeç dhe Roland Dedja 26 vjeç, të dënuar për rrëmbime dhe vrasje kryen një arratisje spektakolare e cila ngjason më shumë me skenaret e një filmi.

Ata kanë kapërcyer muret rrethues të burgut duke përdorur çarçafë të lidhur me njëri-tjetrin duke përfituar edhe nga fakti që roja po vigjilonte mbi 2 mjedise njëkohësisht. Mësohet se prej kohësh në burg nuk funksiononte as sistemi i alarmit.

Dy të burgosurit pas kapërcimit të murit kanë arritur të marrin një makinë fuoristradë që u ka shërbyer për t’u larguar. Autoritetet italiane kanë nisur kërkimet për kapjen e dy të dënuareve shqiptarë dhe në operacionin kërkimor janë përfshirë edhe helikopterë.

Dy shqiptarët vuanin dënimin prej disa kohësh, ata ende nuk kishin marrë një verdikt përfundimtar nga drejtësia italiane për akuzat e rrëmbimit dhe të vrasjes.

Top Channel