Matura, 3 mijë maturantë nuk dinë rezultatin

21/07/2010 08:35

Rezultatet e provimeve me zgjedhje janë publikuar vetëm në disa shkolla të mesme, ndërkohë që bazuar në rregulloren e maturës, notat duhet të ishin afishuar në të gjithë gjimnazet e vendit.

Aktualisht numërohen rreth 3000 maturantë që nuk e dinë ende notën me të cilën janë vlerësuar në testet me zgjedhje. Konkretisht në qytetin e Lushnjës, shkolla “18 Tetori” nuk ka të afishuar asnjë rezultat të maturantëve që kanë kryer arsimin e mesëm në këtë institucion.

Por ky nuk mbetet rasti i vetëm. Ka ende shumë maturantë që presin në ankth një përgjigje zyrtare nga Ministria e Arsimit në lidhje me shkakun që krijoi këtë avari.

Nëse procesi i vlerësimit të provimit të parë dhe të dytë të maturës shtetërore u zhvillua normalisht, korrigjimet e tezave me zgjedhje i kanë zhgënjyer në masë maturantët. Menjëherë pas përfundimit të provimit të dytë, matematikës, nxënësit prisnin me padurim zhvillimin e provimeve me zgjedhje, për t’i thënë lamtumirën e fundit maturës shtetërore për vitin 2009-2010. Edhe pse lëndët për të cilat u testuan nxënësit më datë 30 qershor ishin të preferuarat e tyre, ata ishin në ankth për të mësuar rezultatin final të këtij seksioni provimesh.

Shqetësimi më i madh i tyre ishte nota me të cilën do të vlerësoheshin në provimet me zgjedhje. Kjo për shkak se fill pas publikimit të notave, ata do të kishin mundësi që nëpërmjet mbledhjes së pikëve të provimeve të detyruara, mesatares së katër viteve dhe testeve me zgjedhje, të përllogarisnin pikët që kishin grumbulluar në total. Një ekuacion i tillë do ta ndihmonte çdo nxënës për të qenë më i qartë në përzgjedhjen e degëve të formularit të preferencave, A2. E drejta për ta bërë këtë përllogaritje u është mohuar afro 3000 nxënësve në të gjithë vendin. Shkaqet që mund të kenë nxitur një avari të tillë, nuk dihen ende. Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk ka dhënë asnjë sqarim lidhur me këtë problem që ka shkaktuar ankth dhe zemërim te maturantët. “Pistat e dyshimit” janë të shumta dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla deri në momentin kur kjo situatë do të gjejë zgjidhje.

Maturantët e prekur nga kjo parregullsi mendojnë se tezat e tyre nuk janë korrigjuar ende. Sipas tyre, kjo mund të jetë një arsye e fortë pse notat nuk ekzistojnë në listat e rezultateve të maturantëve të tjerë. Por nga ana tjetër ky mund të jetë edhe një problem teknik, që do të thotë se personat që janë marrë me zbardhjen e emrave dhe notave përkatëse, mund të kenë gabuar duke mos i regjistruar ata në rrjetin e të dhënave të çdo nxënësi. Të gjitha këto mbeten hipoteza, duke qenë se institucionet përgjegjëse nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht problemin si dhe nuk ka dhënë deklarata të tjera sqaruese.

Top Channel