INSTAT konfirmon krizën në sektorin e ndërtimit

21/07/2010 08:45

Bizneset në vend kanë pasur më pak punë dhe aktivitet në fillim të vitit 2010. Konfirmimi vjen nga raporti i fundit i INSTAT, mbi treguesin e realizimit të afarizmit, ku vihet re një rënie në tërësi prej 3.3 për qind, krahasuar me fundin e vitit 2009.

 Duke i parë sektorët të ndarë nga njëri-tjetri, konstatohet se ndërtimi vijon të jetë tërësisht në krizë edhe gjatë fillimit të këtij viti.

“Në sektorin e ndërtimit, volumi i shifrës së afarizmit ka një rënie prej 31.2 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2009, rënia është 15.8 për qind”, thekson Instituti i Statistikave. Të njëjtat nivele negative paraqiten edhe në sektorin e tregtisë, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2009 rritja është 6.3 për qind. Te bizneset që merren me transport dhe komunikacion, situata ka rezultuar shqetësuese, me një rënie të aktivitetit me 3.8 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës dhe pa asnjë ndryshim në raport me vitin 2009.

Në sektorin e Shërbimeve, ku përfshihen degët Tregti, Hotele, Transport, Shërbime Informatike dhe Arkitekturore, u shënua 0.3 për qind rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, ka një rritje prej 6.3 për qind.

Në Industrinë Nxjerrëse ka një rritje prej 18.3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe 94.3 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Po ashtu, Industria Përpunuese ka rënie me rreth 1.4 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm dhe rritje prej 13.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Sektor me përfitime është ai i energjisë.

Sipas INSTAT-it, sektori i energjisë paraqitet me rritje 31.3 për qind krahasuar me tremujorin e mëparshëm. Shkak për këtë është bërë situata e reshjeve që solli prodhimin e lartë energjetik në vend dhe shtimin e eksporteve.

Top Channel