Hetimi i zgjedhjeve, tjetër takim Patozi-Ruci

21/07/2010 19:40

Në prag të seancës së fundit të kësaj legjislature të Kuvendit, krerët e dy grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Gramoz Ruci janë takuar sot në mbrëmje për të diskutuar për krijimin e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit.

Takimi sapo ka përfunduar dhe përfaqësuesit e dy grupeve parlamentare nuk kanë dhënë asnjë prononcim për mediat.

Ky vendim është marrë me konsensus gjatë takimit dhe nënkupton se arritja e konsensusit mes PD dhe PS është ende larg. Patozi dhe Ruci janë kontaktuar në telefon nga Top Channel, por kanë refuzuar të bëjnë komente.

Ata thanë vetëm se marrëveshja mund të arrihet brenda 27 korrikut, kur do të mbahet dhe seanca e fundit e sesionit parlamentar.

Politika shqiptare mbahet peng nga përplasja mes palëve për hapjen e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Partia Socialiste kërkon që qeveria t’i hapë ato, ndërkohë që ajo Demokratike i sugjeron opozitës që të ndjekë rrugën e gjykatave.

Negociatat mes Patozit dhe Rucit mund të vijojnë edhe nesër, kur do të mbahet dhe seanca e parafundit parlamentare, ku do të diskutohen shumë ligje të cilët PS ka paralajmëruar se nuk do t’i votojë pa u arritur më parë një marrëveshje.

Dy palët kanë kohë deri të hënën për të rënë dakord, por nëse arrihet një marrëveshje rregullorja e Kuvendit lejon mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme.

Top Channel