Berisha, rrogë sa Cameron

20/07/2010 00:45

Pak ditë më parë revista prestigjoze “The Economist” publikoi një renditje se si janë të paguar udhëheqësit e disa vendeve të botës krahasuar me të ardhurat mesatare të qytetarëve të vendeve të tyre.

Të hënën nga salla e Kuvendit opozita ka bërë llogaritë për kryeministrin shqiptar.

“Kryeministri ka marrrë për vitin 2009 rroge dhe dieta 20794 euro ose 6.5 herë më shumë se e ardhura mesatare për frymë në raport me GDP e një qytetari. Kryetari i Kuvendit ka marrë për vitin 2009 rrogë dhe dieta 24624 euro ose 7.7 herë më shumë se e ardhura mesatare e një qytetari. Secili nga ministrat ka në 2009 rrogë dhe dieta 13059 euro, 4 herë më shumë se e ardhura mesatare e një qytetari”, deklaroi nga foltorja e Kuvendit deputeti i PS-së, Erjon Braçe.

Edhe pse kryeministri shqiptar nuk rezulton tek liderët më të paguar të botës, paga që ai merr në raport me të ardhurat mesatare të shqiptarëve është  më e lartë se sa ajo e shumë kryeministrave dhe presidentëve të tjerë të njohur.

Dejvid Kameron, kryeministri i sapozgjedhur britanik, e ka pagën 6 herë më të lartë sa mesatarja e të ardhurave të anglezëve, ai polak 2.5 herë, ndërsa liderët kinez dhe indian, marrin vetëm një shumë modeste të të ardhurave nga taksapaguesit e tyre.

Por opozita thotë se edhe kjo llogari nuk është e mjaftueshme për të paraqitur gjendjen ekonomike të kryeministrit në raport me shqiptarët, pasi në të mungojnë të ardhurat e familjarëve të tjerë të tij.

“Kryeministri jo, por një familjar i tij i deklaron të ardhurat vjetore mbi 200 mijë euro ose 62.7 herë më shumë se e ardhura mesatare e një qytetari shqiptar, 186 herë më shumë se të ardhurat e një pensionisti, 117 herë më shumë se të ardhurat e një punëtori me pagë minimale”, tha deputeti socialist.

Top Channel