Korrupsioni në gjyqësor, i lartë

19/07/2010 20:15

Ministria e Drejtësisë pranon se në gjyqësor niveli i korrupsionit është i lartë, se në gjykata mungon transparenca dhe se publiku nuk ka besim për dhënien e drejtësisë.

“Gjyqësori karakterizohet nga niveli i lartë i korrupsionit, volumi i madh i çështjeve dhe zvarritjet e gjykimeve. Gjithashtu problem janë edhe statusi i gjyqtarëve, transparenca e ulët dhe mungesa e dukshme e besimit të publikut”, ka deklaruar zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi.

Gjatë prezantimit të strategjise për reformën në drejtësi, zëvendësministrja Kasmi radhiti si probleme edhe pamundësinë e KLD në funksion të ushtrimit sa me të mirë të kompetencave të tij, sa kohë që ata njëherazi ushtrojnë edhe detyrën e gjyqtarit si dhe kontradiktat në ligj për procedurën e emërimit të gjyqtarëve.

Ndërkohë, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani kërkoi përmirësimin e sistemit të drejtësisë. “Me anë të këtij dokumenti strategjik synohet përsosja më tej e sistemit të drejtësisë në Republikën e Shqipërisë, rritja e aksesit në drejtësi, rritja e besimit të publikut në drejtësinë shqiptare duke e forcuar dhe rritur më tej kontributin e këtij sektori në zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe duke nxitur e përshpejtuar integrimin evropian”, ka deklaruar Nishani.

Aktorët që kanë kontribuar në hartimin e kësaj strategjie janë Gjykata e Lartë, gjykatat e shkallëve të para dhe Apelit, KLD, prokuroria, Përmbarimi, avokatura e shtetit, mjekësia ligjore, shërbimi i provës, e të tjera.

Top Channel