Brenda 6 vjetësh Shqipëria njeh tri ditë zie kombëtare për të kujtuar viktimat e tragjedive rrugore. Secili prej tyre i rëndë dhe i dhimbshëm.
I pari që zhyti në zi dhe uli në gjysmështize flamurin shqiptar, por çoi në ditë zie në të njëjtën ditë edhe Kosovën është aksidenti i 14 tetorit 2004. Një autobus me nxënës të Komunës Malishevë u rrezua në ujrat e lumit Fan, në vendin e quajtur “Ura e Bicajve”. Bilanci 13 të vdekur dhe 30 të tjerë të plagosur.
Autobusi i linjës Prishtinë-Tiranë doli nga rruga si pasojë e rrëshqitjes nga lagështira dhe terreni i vështirë.
Tre vjet më pas Shqipëria mbajti sërish frymën nga një aksident tjetër i frikshëm. 11 mars 2007, një furgon me pasagjerë ra në humnerë në aksin Kir-Dukagjin, në Malësinë e Shkodres . 12 pasagjerë humbën jetën dhe tre të tjerë u plagosën rëndë. Mes viktimave kishte edhe te mitur.
Policia kërkoi disa ditë rresht në ujërat e këtij lumi për të gjetur trupat e viktimave. Pas aksidentit u tha se shkaku i tragjedisë ishte shpejtësia së bashku me terrenin e vështirë.
Në korrik 2009 pasagjerët e një automjeti që po ktheheshin nga një dasëm përgjakën sërishmi një nga akset më problematike në vend, autostradën Tiranë-Durrës. Katër persona humbën jetën dhe katër pasagjerët e tjerë mbeten të plagosur rëndë.
Policia deklaroi se shkak i aksidentit ishte shpejtësia e mjetit tip fuoristradë e cila u përplasur me bordurën, si dhe konsumimi i alkoolit nga drejtuesi i mjetit.
Në shkurt 2010, në aksin nacional të Gramshit, një furgon me pasagjere i linjes Mollgrov-Gramsh ra në ujërat e lumit Devoll e për pasojë katër pasagjerë dhe drejtuesi i mjetit humbën jetën.
Policia përcaktoi si shkak terrenin e rrëshqitshëm dhe shpejtësinë.
24 tetor 2009, katër persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën rëndë në aksin Fushë Prezë-Tiranë për shkak të shpejtësisë tej normave.
Shqipëria akutalisht ka numrin më të madh të viktimave për frymë të popullsisë në Europë. Në të gjitha rruget e vendit njihen 180 të ashtuquajtura njolla të zeza, ku ndodhin më shpesh aksidente.
Numrin më të madh të aksidenteve policia ia faturon shpejtësisë, por në shumë akse të vendit është cilësia e rrugës dhe mungesa e sinjalistikës, e cila edhe pse u merr jetën shumë njerëzve sërish nuk përmirësohet.
Top Channel