Kriza shqiptare, debat në PE

08/07/2010 01:30

Për mëse një orë, Shqipëria dhe Kosova ishin kryefjala e seancës plenare të Strasburgut. Komisioneri për Zgjerim në nisje të debatit mbi rezolutat respektive tha se klasat politike në rajon kanë përgjegjësi për të realizuar ndryshimet e për të arritur mirëqeverisjen.
 

“Rapori i Huntis është i mirë dhe i balancuar mbi Shqipërinë. Ky është një moment kyç për Shqipërinë. Jam i lumtur të ndaj dhe diskutoj me Parlamentin Europian shqetësimin mbi mungesën e dialogut politik konstruktiv . Mungesa e një platforme për zgjidhjen e mosmarrveshjeve politike që pas zgjedhjeve të qershorit 2009 mes qeverisë dhe opozitës përbëjnë shqetësim për ne. Të dy palet duhet t’i kthehen dialogut konstruktiv e të gjejnë zgjidhjen bazuar në Kushtetutë e në respekt të transparencës. Vërejtjet e OSBE-ODIHR duhet të adresohen përpara zgjedhjeve lokale të pranverës 2011. Vazhdimi i ngërçit politik lë në hije hapat e rëndësishëm për reformat që duhet të ndërmerren, të rëndësishme këto dhe për integrimin europian të vendit”, tha në fjalën e tij komisioneri Fyle.
 
Gjatë debatit e majta dhe e djathta europiane cituan qendrimet e partive simotra shqiptare, madje eurodeputetët replikuan për të bindur njëri-tjetrin
 
“Shqipëria ka shpenzuar shumë energji dhe kohë për shkak të paaftësisë së qeverisë për të arritur një konsensus e për të bashkëpunuar në aspektet që janë në mënyrë absolute jetësore për  vendin. Ndër këto prioritete është për shembull konsensusi mbi zgjedhjet e 2009. Është jetësore për të gjitha partitë politike të marrin përsipër përgjegjësite dhe të vijojnë me ngritjen e një komisioni që duhet të bëjë ndryshimet për sistemin elektoral”, deklaroi zv/president i PE-së dhe përfaqësues i APSDE-së, Libor Ruçek.
 
“Nëse shihni rezulutën, është bërë shumë progres, si përshembull për liberalizimin e vizave, por pa funksionimin e duhur të institucioneve, është shumë vështirë që të bëhet ndonjë përparim i mundshëm drejt BE-së. Ka ende shumë çështje politike pa zgjidhur, që pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, të cilat zgjidhen veç nëse të gjithë politikanët në Shqipëri do të respektonin ligjet në vend”, u shpreh kreu i Delegacionit për Ballkanin, Eduart Kukan.

“Përsa i takon Shqipërisë, çështja e parë urgjente është zgjidhja e krizës politike që vazhdon ende, e cila riskon të bllokojë proçesin integrues të vendit drejt BE-së. Në këtë kuadër, nëse jemi serioz në përpjekjet tona ndaj Shqipërisë, është përgjegjësia jonë që të lehtësojme bisedimet mes qeverisë dhe opozitës. Më duhet të shpreh zhgënjimin për disa kolegë të PPE-së që ndryshojnë pozicionet e tyre në mënyrë që të mbështesin partinë e tyre simoter në Tiranë dhe kreun e saj, Berishën. Gjithësesi shpresoj që dy grupimet e mëdha politike do të përmbledhin përpjekjet e tyre ndihmuese pas pushimeve të verës”, tha eurodeputeti i APSDE-së, Kristian Vigenin.
 
“Desha t’i them zotit Ruçek se është ngritur komisioni hetimor, socialistët kanë kryetarin dhe shumicën. Së dyti Kodi Elektoral duhet ndryshuar, e kjo ndodh veç nëse socialistët bashkëpunojnë në parlament. Ndaj duhet parë kjo sjellje, se ata po e bojkotojnë këtë. Në gjithë karrierën time, une kam luftuar për interesat e qytetarëve shqiptarë e jo të partive të veçanta, e do të vazhdoj të luftoj për sa kohë jam në këtë parlament. Me vjen keq që ju nuk e pranoni këtë”, replikoi eurodeputetja e PPE-së, Doris Pack.

“Dua t’i them zonjës Pak se kjo sjellje nuk ndihmon aspak për zgjidhje. Me fjalimin tuaj, me mënyrën tuaj të reagimit, ju inkurajoni Berishën dhe partinë në pushtet për të hedhur poshtë çdo lloj marrëveshje me opozitën. Mendoj se kjo nuk është e përgjegjshme, ndaj ju bëj thirrje ju dhe grupimit tuaj politik që të ndryshoni tonin e të bashkëpunoni me ne në mënyrë që të gjejmë zgjidhjen e jo të inkurajoni Berishën për të vijuar mënyrën që ju e dini”, reagoi eurodeputeti, Kristian Vigenin.

I befasuar nga debati mbi Shqipërinë, komisioneri Fyle u bëri thirrje dy grupimeve të mëdha politike që të mos përçahen, por të vijojnë me frymën e konsensusit që të ndihmojnë ata që janë të pazotë të zgjidhin çështjet e tyre të brendshme.
 
“Inisiativa e dy grupimeve të mëdha politike në Parlamentin Europian mendoj se ishte unike. Për herë të parë një gjë e tillë u përfshi në konkluzionet e Këshillit. Unë e vlerësoj këtë formë, të qenurit lojtar, të qenurit ne aty ku mund të ndihmojmë ata që nuk janë të zotët të zgjidhin çështjet e tyre të brendshme. Bëj thirrje ndaj jush që të ruani këtë vlerë, të mbani konsensusin për të ushtruar këtë rol të rëndësishëm dhe të nevojshëm. Jam dakort me Zotin Ruçek, partitë politike duhet të ulen në bisedime. Fatkeqësisht nuk ia arritëm, por ata duhet ta zgjidhin ngërçin politik, bazuar në zgjedhjet e së kaluarës për të përmirësuar ato të ardhshmet. Z. Svoboda e tha mirë, ne nuk duam që zgjedhjet e ardhshme të përballen me të njëjtën situatë, dhe që humbësit të vënë në dyshim rezutatin e tyre”, u shpreh komisioneri Fyle.

Gjate debatit, u përmend fenomeni i hakmarrjes, korrupsioni, krimi i organizuar, trafiqet, e veçanërisht liria e medias, intimidimi i së cilës është shqetësues sipas Komisionerit. Ndërsa rezoluta ndaj Kosovës u kritikua vetëm nga eurodeputetet e 5 shteteve europiane qe nuk e njohin ende pavarësine, për shkak se në të bëhet thirrje për njohjen e shtetit të Kosovës.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA