Thjeshtëzimi i procedurave që lidhen me vetëkontrollin e sëmundjeve të transmetueshme është një nga pikat kyçe të parashikuara në memorandumin e nënshkruar dje mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe shtetit serb.
Në të theksohet edhe implementimi i rregullave ndërkombëtare të shëndetit për produktet e vaksinimit si për institucionet private, edhe për ato shtetërore. Marrëveshja e parë e nënshkruar mes dy shteteve fqinje konsiston në bashkëpunimin mes 2 shteteve, në kuadër të çështjeve të shëndetit dhe mjekësisë.
Kjo marrëveshje do të fokusohet në shkëmbimin e specialistëve, në fushën teknike dhe atë teknologjike. Bashkëpunimi synon promovimin e shkëmbimeve ekonomike e tregtare, si dhe krijimin e marrëdhënieve miqësore mes vendeve të rajonit. Aspektet institucionale, legjislative dhe rregullatore, që kanë të bëjnë me shëndetin, kujdesin shëndetësor dhe mjekësinë në kuadrin e integrimit në Bashkimin Europian është një nga objektivat e këtij bashkëpunimi.
Memorandumi parashikon trajnimin e specialistëve në shkollat respektive të shëndetësisë. Memorandumi u nënshkrua gjatë një qëndrimi dyditor në Serbi, ku pjesë e këtij takimi ishte ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, dhe homologu i tij serb, Tomica Milosavjleviç.
Top Channel