Çomo rrëfehet para deputetëve

05/07/2010 20:05

Seanca dëgjimore me avokatin Sokol Como, kandidat i Presidentit për Gjykatën e Lartë u zhvillua në një atmosferë shumë të ndryshme nga ajo me kandidatin e parë, gjyqtarin Mehdi Bici.

Jo vetëm sepse, ndryshe nga një javë më parë, deputetët e Partisë Socialiste u angazhuan vetëm 2 herë me pyetje ndaj kandidatit Sokol Como, por edhe sepse përqendrimi kryesor i deputetëve demokratë ishte tek CV-ja e zotit Çomo.

3 vjet pas detyrës së gjyqtarit, në vitin 98, ai ka kryer detyrën e zevendësministrit të Drejtësisë gjatë qeverisjes socialiste, rrethana të cilat zoti Como i shpejgoi para Komisionit të Ligjeve, duke mohuar ndikimet politike mbi profesionalizmin e tij si gjyqtar.

Nga detyra e gjyqtarit zoti Como hoqi dorë në vitin 2008 për të zgjedhur sipas ligjit të kohes, detyren e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ku ai ishte votuar nga Parlamenti, gjatë kohës kur demokratët ishin në opozitë dhe kundërshtuan kandidaturën e zotit Como si anëtar i KLD-së.

“Në perceptimin tim, në vazhdimësi në karrierën tuaj, keni patur një mbështetje politike. A mund të ma sqaroni këtë cështje?”, ka kërkuar deputeti socialist Fatos Hoxha.

Nga ana e tij Como është përgjigjur duke mohuar cdo ndërhyrje politike në karrierën e tij. “Lidhur me emërimin tim si zëvendësministër i Drejtësisë, ka qenë një emërim që nuk ka kaluar nëpër kanale dhe nëpër filtra politike. Ka qenë një kërkesë e kryeministrit të kohës Pandeli Majko, që një gjyqtar me eksperiencë gjyqësore të shërbente për një afat të caktuar kohor në strukturat e Ministrisë së Drejtësisë. E theksoj, nuk kam pasur asnjë karrierë politike para se të bëhesha zëvendësministër. Është e vërtetë që jam zgjedhur anëtar i KLD-së në datë 22.04.2002. Nuk ka patur në këtë proces një përzgjedhje të orientuar politikisht”, ka deklaruar Çomo.

Duke deklaruar disa herë gjatë seancës dëgjimore se vendimmarrja e tij në gjyqësor nuk është ndikuar asnjëherë politikisht, zoti Çomo tha se funksioni i tij si zëvendësministër i Drejtësisë i ka shërbyer për të parë nga një këndvështrim tjetër problemet e brendshme në sistemin gjyqësor.

Por, pak kohë më parë, kur rrëzuan një kandidaturë të presidentit për Gjykatën Kushtetuese, demokratët deklaruan zyrtarisht se nuk do të votojnë asnjë propozim të presidentit, nëse kandidatët e tij për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese kanë qenë pjesëmarrës në procese politike gjatë diktaturës, dhe, nëse ata kanë mbajtur poste politike në cdo qeveri.

“A mendoni se personat që përziejnë karrierat e tyre nga gjyqësori në politikë dhe pastaj kthehen përsëri në gjyqësor, ndoshta janë një instrument i politikës për të ndikuar gjyqësorin, natyrisht në mënyrë të ligjshme?”, i është drejtuar deputeti Gent Strazimiri kandidatit Sokol Çomo.

“Së pari doja të theksoja se nuk jam një gjyqtar që kam përzier veprimtarinë time gjyqësore me politikën. Sic e shpejgova, në bazë të legjislacionit të brendshëm, jam një gjyqtar që kam shërbyer në Ministrinë e Drejtësisë dhe shërbimi në Ministrinë e Drejtësisë është një karrierë gjyqësore. Jam një njeri që nuk kam bërë asnjëherë karrierë profesionale për arsye të lidhjeve të mia me jetën partiake”, është përgjigjur Çomo.

Pas kandidatëve Mehdi Bici e Sokol Çomo, të martën paradite, Komisioni i Ligjeve do të zhvillojë seancë dëgjimore me kandidatin e fundit për anëtar të Gjykatës së Lartë, prokurorin Vexhi Mucmata.

Partia Socialiste kërkoi debatimin sa më shpejt të kandidaturave në Komisionin e Ligjeve, ku mazhoranca dhe opozita do të japin opinionet e tyre, nëse Parlamenti do të duhet t’i konfirmojë ose t’i rrëzojë, me votë të hapur, tre dekretet e presidentit për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Top Channel