PS: Nuk votojmë asnjë ligj

30/06/2010 20:35

Ngjau si një rrufe në qiell të hapur, aq me tepër tani që opozita sapo kishte nisur jetën normale parlamentare, por deklarata e deputetit Blendi Klosi duket se po merr formën e saj të plotë. (UPDATE)

Dy ditë më pas, deputetët socialistë, të thirrur në selinë rozë, analizuan situatën politike në vend. Sipas optikës së tyre, mazhoranca nuk ka bërë asgjë për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Deputetët socialistë mendojnë gjithashtu se ndryshimi i rregullores së Kuvendit uzurpon Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese.

Me ndryshimet e reja, votimi për gjyqtarët e këtyre gjykatave do të bëhet jo më i fshehtë, por i hapur.

Socialistët diskutuan edhe për projektligjin e inspektimit të financave publike, që do të diskutohet në seancën e ardhshme plenare.

Sipas tyre, ai con nën tutelën e qeverisë institucionet e tjera, si gjykatat, KLD-në, SHISH-in, OJQ-të, veçanërisht pushtetin vendor, e pse jo deri tek institucioni i Presidentit.

“Nisur nga të gjitha këto, grupi parlamentar i PS vendosi që: 1: Duke filluar që nga dita e nesërme grupi parlamentar Socialist përshkallëzon marrëdhënien me Parlamentin shqiptar, duke kushtëzuar marrëdhëniet ndaj këtij Parlamenti, duke mos votuar asnjë ligj, as me shumicë të thjeshtë e as me shumicë të cilësuar. 2: grupi parlamentar do të përgatisë gjatë ditëve në vazhdim axhendën e tij opozitare në marrëdhëniet me Parlamentin. Dhe 3: lidhur me hapat e mëtejshme, grupi ynë në sesionin e ardhshëm, apo të ri, parlamentar që fillon në shtator, do të bëjë publike hapat e mëtejshme lidhur me marrëdhëniet dhe me qëndrimin ndaj Parlamentit shqiptar”, ka deklaruar në një konferencë për shtyp, kryetari i grupit të PS, Gramoz Ruci.

Përpara dy ditësh kryeministri e ftoi opozitën të bashkëpunojnë për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.

Por pas kësaj deklarate radikale të Gramoz Rucit, socialistët bëjnë presion se mund të kthehen në pikën e nisjes, protestat në rrugë.

Praktikisht, Partia Socialiste braktis procesin legjislativ, duke mos marrë pjesë në asnjë votim për asnjë ligj, pavarësisht kuorumit të nevojshëm dhe kjo sipas socialistëve deri sa të bëhet transparenca e zgjedhjeve.

Top Channel