PS: Krimi kontrollon ekonominë

26/06/2010 19:50

Partia Socialiste ka folur me tone alarmante për gjëndjen e ekonomisë në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë se me paaftësinë, korrupsionin, monopolet dhe kapjen nga elementë të krimit të organizuar po dëmton rëndë treguesit ekonomikë, po rrit papunësinë dhe po varfëron më shumë familjet shqiptare.

Këto konkluzione Partia Socialiste i nxorri në Këshillin Kombëtar Ekonomik, një organ konsultativ i partisë më të madhe të opozitës, lideri i të cilës, Edi Rama, ka deklaruar se në ditët në vazhdim cështja e ekonomisë do të jetë në fokusin kryesor të veprimit opozitar.

“Kemi të ardhurat tatimore 10% më të ulëta nga parashikimi, një tkurrje të madhe ekonomike, një papunësi në rritje, si dhe një mungesë të transparencës mbi shifrat dhe të dhënat, që kur jepen janë të manipuluara si zgjedhjet”, ka deklaruar Rama.

Ndërsa ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani e ka vënë theksin tek “megamonopolet” që janë krijuar në vend.

“Në Shqipëri nuk ka më monopole, ka megamonopole. Ka krim të organizuar që ka hyrë në ekonomi. Na dëgjoni se ndryshe do të jetë shumë vonë”, ka pohuar Cani.

Një nga cështjet që shqetëson vecanërisht Partinë Socialiste është sjellja e Bankës së Shqipërisë në këtë situatë. Akuza e drejtpërdrejtë për guvernatorin Ardian Fullani ishte dorëzimi i pavarësisë tek qeveria për të fituar një mandat të dytë 7 vjecar vitin e ardhshëm.

“Në BSH mendimi i ekspertëve është i plagosur rëndë. Pavarësia e këtij institucioni është dorëzuar në këmbim të një mandati tjetër dhe dëmet e shkaktuara nga këto veprime janë 10 miliardë”, ka theksuar ish-guvernatori Cani.

Por kjo akuzë nuk do të mbetet verbale. Partia Socialiste po shqyrton mundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor për shitjen e hotel “Dajti” me 30 milionë dollarë nga qeveria tek Banka e Shqipërisë.

“BSH refuzoi të publikojë vendimin, buxhetin, burimet e parave të blerjes së hotel “Dajti”. Duhet një komision parlamentar për të kontrolluar veprimet e bankës”, ka deklaruar deputeti Erjon Brace.

Top Channel