Berisha: Bëmë maksimumin e kompromiseve

24/06/2010 12:45

Kryetari i grupit të Partive Popullore të Parlamentit Evropian, Joseph Daul deklaroi se ndërkombëtarët arritën që në Tiranë demokracia të vihej në veprim.

Duke kujtuar takimin e Strasburgut, Daul theksoi se në bisedime u arrit që opozita të punojë në gjirin e parlamentit. “Donim të shkonim më larg. Unë mendoj se kryeministri i la mundesi funksionimit te shtetit te se drejtes. Zoti Rama më shpjegoi se në zgjedhjet e fundit rregullat nuk kanë qenë të mira dhe ndoshta nuk janë respektuar, por le të ulen dhe të bisedojne për të bërë ndryshimet e duhura”, u shpreh Daul, ne nje konference te perbashket per shtyp, pas takimit me shefin e qeverise, Sali Berisha.

Nga ana e tij Berisha deklaroi se si ne takimin e Strasburgut ashtu edhe në Bruksel, bisedimet kanë qenë një sukses i vërtetë dhe sipas tij, rezultat ishte votimi i djeshëm në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian.

“Kam vendosur që të mbaj heshtje për të gjitha takimet e zhvilluara, por dua t’ju garantoj se qeveria është sjellë në këto takime fleksibël si një mazhorancë jashtë cdo lloj koncepti të revanshit dhe është përpjekur të bëjë maksimumin e kompromiseve brenda parimeve kushtetuese të shtetit ligjor”, u shpreh Berisha.

Top Channel