Topi: Statusi, së shpejti

23/06/2010 19:40

Presidenti i Republikës Bamir Topi e sheh si të afërt marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat.

Këtë ai e ka bërë të ditur në Stamboll, gjatë fjalës që ka mbajtur në samitin e Procesit të Bashkëpunimit të Vendeve të Europës juglindore.

“Vendi im ndodhet sot në një moment historik të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian”, ka deklaruar presidenti Topi.

Sipas tij, anëtarësimi në NATO i kontribuoi dhe natyrshëm shpejtoi hapat e integrimit europian.

“Ka pak më shumë se një vit që Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ka hyrë në fuqi – ka vijuar më tej kreu i shtetit – dhe vendimi për statusin e vendit kandidatit mbetet pritshmëri shumë e afërt e paraprirë nga një vendim po aq historik: liberalizimi i vizave me vendet e Bashkimit Europian”.

Në këtë vizitë presidenti Topi shoqërohet nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta.

Presidenti ka pasur takime dypalëshe, si me presidentin turk Gyl, apo kryeministrin maqedonas Gruevski.

Topi është shprehur se Shqipëria mbështet pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në nismat rajonale dhe ato shumëpalëshe, si edhe në proceset integruese në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Top Channel