Parlamenti “ngec” nga negociatat

22/06/2010 08:25

Nuk është zhvilluar dje seanca dëgjimore në Komisionin e Ligjeve për kandidatët për Gjykatën e Lartë të propozuar nga Presidenti Bamir Topi.

Demokratët dhe socialistët japin argumente të ndryshme mbi arsyet se pse është nxjerrë jashtë kalendarit të punimeve të Komisionit të Ligjeve çështja e shqyrtimeve të dekreteve të kreut të shtetit për Gjykatën e Lartë.

Demokratët fajësojnë institucionet se nuk kanë sjellë materialet shtesë për veprimtarinë e kandidatëve, ndërsa socialistët ia vendosin fajin mungesës së kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili nuk ndodhej në Shqipëri.

Anëtarët socialistë të Komisionit të Ligjeve thonë se, meqenëse Rusmali nuk ndodhet në Shqipëri për dy ditë, pezullohet komisioni dhe bashkë me të edhe dekretet.

Në fakt, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, ndodhet në Strasburg, ku do të marrë pjesë në hapjen e sesionit.

Ndërsa demokratët shprehen se ende nuk kanë ardhur dokumentet shtesë mbi veprimtarinë e kandidatëve për Gjykatën e Lartë nga prokuroria, Dhoma e Avokatisë dhe institucioneve të tjera. Për anëtarët demokratë të Komisionit të Ligjeve, rëndësi nuk ka vonesa për transparencë.

Afati trejavor për dekretet e Presidentit ka skaduar ditën e djeshme dhe pavarësisht kësaj, ndërsa socialistët fajësojnë kreun e Komisionit të Ligjeve për mungesën e tij dyditore në komision, demokratët justifikohen me faktin se nuk kanë ardhur ende materialet shtesë për veprimtarinë e kandidatëve në Komisionin e Ligjeve.

Top Channel