Nju Jork, Papandreu takim me Ramën

22/06/2010 08:15

“Vazhdimi i krizës pengon integrimin”. Me këtë deklarim, Presidenti i Internacionales Socialiste dhe njëkohësisht Kryeministër i Greqisë, Jorgos Papandreu ka përcjellë shqetësimin për situatën në Shqipëri, gjatë një takimi të mbajtur dje në Nju Jork me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama.

Sipas njoftimeve zyrtare të selisë rozë, biseda mes dy liderëve të majtë është përqendruar në situatën në Shqipëri, e cila që prej një viti është peng i një krize politike që ka të bëjë me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

Apeli i ardhur nga “Pallati i Qelqtë” në SHBA, i bën thirrje klasës politike shqiptare që të marrë përgjegjësitë e krizës politike, në funksion të një zgjidhjeje e cila duhet të përfaqësojë kompromisin e munguar deri më tani.

Ky është një nga kontaktet më të rëndësishme politike të Edi Ramës për sa i përket trajtimit të krizës politike, po të mbahet parasysh se Papandreu mban aktualisht edhe detyrën e Kryeministrit të Greqisë.

Top Channel