Dënimi i “Fiks Fare”, reagojnë gazetarët kosovarë

22/06/2010 20:00

Vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë i cili dënoi me gjobë prej 400 mijë eurosh emisionin “Fiks Fare”, vlerësohet një goditje e drejtpërdrejt ndaj gazetarisë investigative.

Drejtuesit e mediave në Kosovë, por edhe komuniteti i gazetarëve profesionistë thonë se emisioni “Fiks Fare” do të duhet të shpërblehej për punën e bërë dhe në asnjë mënyrë të dënohej.

Vendimi i gjykatës, sipas gazetarëve kosovarë, iu jep “zemër” personave publikë që të vazhdojnë me sjellje të tilla. Ndërkohë tek gazetarët krijonë një autoçensurë dhe humb motivin për të realizuar tema investigative.

“Në çdo vend normal televizioni do duhej të shpërblehej dhe jo dënohej. Kjo do t’i japë zemër pushtetarëve që të vijojnë me veprime të tilla”, është shprehur Imer Mushkolaj, drejtor i Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës.

“Gabimi i vetëm i gazetares është hyrja me privatësi. Ndërsa gabimi i ministrit është se pranon dikë që të japë intervistë në orët e vona”, thekson Baton Haxhiu, drejtor në televizionin Klan Kosova.

“E drejta e privatësisë së ish-ministrit është shumë e kufizuar. Fiksi ka treguar se një pushtetar mund të shpërdorojë detyrën e tij për të marrë përfitime”, tha Astrit Gashi, kryeredaktor i gazetës së përditshme “Zëri”.

Sipas gazetarëve kosovarë, gazetarët gjatë detyrës së tyre kanë të drejt edhe të provokojnë. Por, është aftësi e personave zyrtarë se sa iu përmbahen provokimeve.

“Fiksi e ka vënë në test ministrin e Kulturës dhe ai ka rënë në këtë test. Këto raste duhet të publikohen pavarësisht se si është realizuar”, pohoi Gashi.

“Nuk kam parë asgjë joprofesioniste nga ajo që është bërë ndaj Zotit Pango”, deklaroi Mushkolaj.

“Fiksi ka ndërtuar një koncept hulumtimi të gazetarisë investigative që është i vështirë në Ballkan”, theksoi Haxhiu.  

Komuniteti i gazetarëve në Kosovë bën apel tek Gjykata e Lartë për të hedhur poshtë këtë vendim.

Ai vlerëson se ky dënim është më i larti që është dhënë ndonjëherë ndaj ndonjë mediaje televizive. Ata theksojnë se kjo po cënon rëndë punën e një emisioni më të suksesshëm në mediat ballkanike.

Top Channel