Buxheti i ri, 40 miliardë lekë më pak në ekonomi

22/06/2010 08:55

Rishikimi i buxhetit 2010 dhe parametrat e rinj, vijon të jetë objektivi kryesor i Ministrisë së Financave, proces i nisur dy javë më parë dhe që pritet të konkretizohet në fillim të muajit korrik.

Burime nga ministria thonë për gazetën se po shikohet edhe varianti për ta reduktuar buxhetin e shtetit me rreth 40 miliardë lekë, ose 10 miliardë me shumë nga sa ishte planifikuar në fillim të vitit kur u publikua strategjia.

Duke parë ecurinë e deritanishme në mbledhjen e të ardhurave, qeveria do ta ketë të vështirë të menaxhojë një situatë të tillë planifikimi deri në fund të vitit, e për rrjedhojë shikohet mundësia e rishikimit të shifrave, duke prekur edhe nivelin e investimeve.

Të konfirmuar deri tani edhe nga ministri i Financave, niveli i ri i investimeve për pjesën e mbetur të vitit do të jetë rreth 25 miliardë lekë më pak, ku ministritë me buxhetin më të madh parashikohet të preken më shumë nga shkurtimet.

Ulja e shpenzimeve për investime do të jetë të paktën 20 për qind për çdo institucion, pa dallim nëse është i madh, i vogël, i rëndësishëm etj.

Deklarata e Kryeministrit pak kohë më parë ishte e qartë, ku thuhej se ulja e buxhetit vjen si veprim në përgjigje ndaj krizës ekonomike.

Top Channel