Britani, publikohet sot paketa ekonomike

22/06/2010 11:00

Paketa më e fortë që parashikon rritjen e taksave dhe shkurtimin e shpenzimeve për një brez të tërë pritet të publikohet sot në Britani nga sekretari George Osborne, i cili ka hartuar buxhetin e tij të parë.

Pritet që Osborne të thotë se masat, të projektuara për të ndalur rritjen e deficitit që ka kapur rekordin me 155 bilionë paund, do të jenë të bazuara mbi paanësi.

Përfitimet e klasës së mesme dhe pagesat e sektorit publik mund të goditen, por 900 mijë qytetarë nga shtresat e ulëta do të hiqen nga sistemi i taksave.

Laburistët deklarojnë se ekonomia britanike është tepër e dobët për t’u përballur me këtë shkurtim të shpenzimeve dhe lëvizja mund ta kthejë vendin sërish në recesion.

Kufiri në të cilin njerëzit do të fillojnë të paguajnë taksa do të rritet nga 1 mijë në 7475 paund, duke përjashtuar rreth 900 mijë persona nga sistemi i taksave.

Top Channel