Skandali, Basha: Pango i shumëpërfolur

21/06/2010 21:50

Drejtorja e “Gazeta Shqiptare”, gazetarja Anila Basha ka deklaruar se skandali seksual me ish-ministrin Ylli Pango nuk përbën një risi.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Basha ka theksuar se Pango është përfolur për kërkesat e tij për favore seksuale që kur ka qenë pedagog.

“Ne kemi pasur shumë ankesa nga studentë për Ylli Pangon kur ka qenë profesor. Në shumë forume pas skandalit viheshin re shkrime që thoshin “sa mirë ia bënë””, ka deklaruar Basha.

Sipas saj, gjoba që gjykata e Tiranës i vendosi Top Channel është një tentativë për të intimiduar gazetarinë investigative.

Për më tepër, ka theksuar gazetarja, një funksionar publik nuk mund të pretendojë se ka një jetë private.

“Gjoba është një intimidim dhe nuk mund të thotë as Ylli Pango dhe asnjë funksionar tjetër, se ka një jetë private. Ai nuk e ka atë. Ne në gazetën tonë kemi suplementin “Blue Tooth”. Ne mund t’i kapim politikanët në momente të ndryshme dhe sulmohemi përse i shkruajmë në gazetë”, ka shtuar Basha.

Top Channel