Cfarë është statusi?

21/06/2010 15:35

Statusi i vendit kandidat nuk parashikohet nga tekstet themeluese të Bashkimit Europian. Marrja e statusit nuk ka vlerë juridike dhe nuk botohet në Fletoren Zyrtare të Bashkimit Europian, as në rubrikën e “legjislacionit” dhe as në rubrikën e “komunikimeve”.

Por të qenit “kandidat zyrtar”, lidhet me një moment të rëndësishëm: teknik, por sidomos politik. Për ta kuptuar këtë, le të shohim procedurën e anëtarësimit në Bashkimin Europian:

Pas dorëzimit të kërkesës për anëtarësim, Komisioni, që është organi ekzekutiv i Bashkimit Europian dhe ka tërë ekspertizën e nevojshme teknike, jep mendimin e tij për kandidaturën. Për këtë ai i kërkon vendit aspirant që t’i përgjigjet një pyetësori.

Përgjigjet bëjnë të mundur një shqyrtim analitik të shoqërisë dhe kuadrit ligjor të vendit në fjalë. Nëse mendimi i Komisionit në fund është pozitiv, Këshilli Europian, pra shefat e shteteve dhe të qeverive, japin mendimin e tyre.

Përgjithësisht qeveritë ndjekin mendimin e Komisionit. Ka pasur vetëm një përjashtim në historinë e zgjerimeve, kur në fillim të viteve 80 Komisioni u shpreh kundër anëtarësimit të Greqisë, e cila nuk i plotësonte kushtet teknike. Por vullneti i politikanëve fitoi mbi mendimin e ekspertëve dhe Greqia u bë anëtare me të drejta të plota. Sot, janë kohë të tjera, dhe një rast i tillë nuk do të përsëritej për Shqipërinë.

Pra marrja e statusit të kandidatit merr vlerë politike, sepse e sjell vendin kandidat një hap më afër Bashkimit Europian. Të paktën në teori. Sepse në praktikë, statusi duhet të pasohet me vendimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Përndryshe mund të ndodhë si me Turqinë: vend i asociuar që në vitin ’63 me komunitetet europiane, pararendëse të Bashkimit Europian, Turqia paraqiti kërkesën për anëtarësim në vitin ’87, u njoh si kandidate zyrtare 12 vjet më vonë, në vitin ’99 dhe vendimi për hapjen e negociatave u mor 6 vjet pas statusit, në vitin 2005.

I ngjashëm rasti i Maqedonisë: vend kandidat që në vitin 2005, Maqedonia nuk i ka hapur ende negociatat e anëtarësimit me Komisionin europian, për shkak të vetos greke për cështjen e emrit.

Në nëntor të këtij viti, në rast se Komisioni do të japë një mendim pozitiv për Shqipërinë dhe Këshilli europian i jep vendit statusin e kandidatit, vendi do të jetë një hap më afër Bashkimit Europian. Do të fillojë të zbatohet një strategji partneriteti për anëtarësimin dhe Brukseli do të shtojë ndihmën financiare.

Përafrimi me legjislacionin komunitar, që ka filluar që me MSA-në, do të përshpejtohet dhe ndikimi në jetën e përditshme do të jetë i prekshëm, në fushën e mjedisit, luftës kundër krimit të organizuar, përforcimit të institucioneve të vendit, mbrojtjen e minoriteteve. Në afat më të gjatë, ndihma komunitare do të synojë të reduktojë varfërinë dhe të krijojë perspektiva për vende të reja pune.

Vendi pritet të bëhet më tërheqës për investimet e huaja. Por gjatë negociatave të anëtarësimit, mund të vendoset një periudhë tranzitore për përfitimin e plotë të disa avantazheve, si psh qarkullimi i lirë i krahut të punës. Psh për të parandaluar një dyndje të mundshme të krahut të punës mekosto më të lirë në vendet e Europës Perëndimore, vendeve te Europes Lindore iu vendos një moratorium 7-vjecar për përfitimin e plotë të kësaj lirie themelore në Bashkimin Europian. Por në rast se statusi i kandidatit nuk shoqërohet me vendimin për celjen e negociatave, mund të krijohet një status quo vegjetuese, e rënduar nga deklarata demagoge dhe rënia e ritmit të reformave. Kjo do ta bënte hapin e ardhshëm drejt Bashkimit Europian t’i ngjante një hapi prej gjiganti.

Top Channel