Angli, media zbulon abuzimet

19/06/2010 15:15

Si e  premtja e zezë e gazetarisë investigative shqiptare. Kështu do të kujtohet gjatë, vendimi i djeshëm lexuar nga gjyqtari Agim Bendo, duke mos  argumentuar se cfarë e ndalon një gazetar  të filmojë brenda një shtëpie kur ai ftohet nga i zoti i shtëpisë.

Në Britaninë e Madhe janë me qindra rastet, kur televizionet  apo gazetat kanë ekspozuar pikërisht njerëz brenda ambienteve të shtëpive të tyre dhe kjo në asnjë asnjë rast nuk ka përbërë shkelje të ligjit, në një shtet ku privacia respektohet në nivelet makismale.

Pas një investigimi dy vjecar në vitin 2003, BBC transmetoi dokumentarin “Polici i fshehtë”. Gazetari Mark Daily u infiltrua në një akademi policore ku në ambientet e brendshme të konviktit filmoi 8 kadetë duke shprehur haptas bindjet e tyre  raciste ndaj komunitetit indian në Britani.Pasi filloi të punonte si polic gazetari mundi të filmojë në shtëpinë e dy kolegeve komente të tjera raciste. Si pasojë e dokumentarit të tetë personazhet e tij u larguan  nga forcat policore ku shërbenin dhe askush nuk e kritikoi gazetarin përse i filmoi kolegët  në ambientet e  shtëpisë.

BBC e argumentoi filimin sekret, përfshi infiltrimin e gazetarit në akademi, si të vetmen mënyrë për të siguruar provat e racizmin në radhët e policisë.
Për këtë investigim gazetari Mark Daly në vitin 2004 do të fitonte cmimin  prestigjoz “British Academy Television Award” .

Yjet e futbollit anglez Frank Lampard dhe Kieron Dyer në Qershor të vitit 2000  do të ekspozoheshin nga gazeta ‘News of The World’, pas filmimeve sekrete, në dhomën e një  hoteli në Qipro, sëbashku me dy vajza të cilave u kërkonin të pozonin nudo duke i bërë foto dhe kryer lojra seksuale. Të dy futbollistët e turpëruar nuk kërkuan ndonjë dëmshpërblim nga gazeta për thyerje të privacisë në dhomën e hotelit.

Në vitin 2002 Roger Insall editori investigativ i gazetës ‘Sunday People’ duke pozuar si një vrasës me pagesë regjistroi ofertën e bashkëshortes të një biznesmeni e cila kërkonte vrasjen e tij, për trashëguar pasurinë prej 1 milion paund.
Për këtë ngjarje gazeta ‘Daily Telegraph’ e datës 24 Shtator 2002 shkruan…Gjatë bisedës me zotin Insall në ambientet e guzhinës në shtëpinë e saj në Gidea Park në Londër zonja Molyneux tha: “E dua atë të zhdukur përgjithmonë”.

Gjykata e Krimeve të Rënda në Londër  dënoi  Shelley Molyneux me 5 vite burg, falë bashkëpunimit mes gazetës dhe Scotland Yard. Në fund të procesit gjyqësor, gjykatësi e  lavdëroi  punën e gazetarit që shpëtoi jetën e biznesmenit  

Po në të njëjtin vit prezantuesi televiziv John Leslie filmohet brenda në shtëpi duke thithur kokainë. Investigimi gazetarëve të ‘NeWs of the World’ që siguruan këtë filmim sekret bëri që Leslie të pushohej nga puna, madje coi në dhënien fund të karrierës si prezantues.    

Kate Moss një prej modeleve më të famshme britanike  në vitin 2005 do të përbënte lajm për të gjitha mediat botërore, kur u  filmua në mënyrë sekrete tek sapo merrte, disa viza kokainë në një studio private rregjistrimi këngësh.
As ajo dhe as pronarët e studios private në asnjë rast nuk iu drejtuan gjykatës për thyerje të privacisë nga ‘Daily Mirror’ , shkaktimin e stresit dhe humbjen e qindra mijëra paundëve nga prishja kontratës që i bëri kompania TopShop ku ajo ishte modele.

Katër vjet më vonë Kerry Kantona ish pjestarja e grupit muzikor “Attomic Kitten”  u filmua po në mënyrë sekrete në  ambientet e shtëpisë së saj duke u droguar.
Në asnjë rast avokatët e saj  nuk ju drejtua gjykatës për shkelje të privacisë por Kantona kërkoi falje publike për veprimin e saj.

Nuk janë vetëm yjet e futbollit, këngëtarët, modelet, politikanët atë të cilët në Britaninë e Madhe janë  filmuar brenda në shtëpi duke kryer prapësi nga më të ndryshmet të cilat përbëjnë interes publik për t’u ekspozuar.

Investigimeve të këtij lloji nuk i kanë shpëtuar edhe pjetarët e familjes mbretërore.

Në 4 Shtator
2005 gazeta ‘News of The World’ ekspozoi princeshën Michael, e cila përdorte statusin e anëtarit të familjes mbretërore për të shitur shtëpinë. I gjithë pazari për të shitur shtëpinë sëbashku me tokën që e rrethonte, mes saj bashkëshortit dhe gazetarit që u paraqit si një blerës potencial u zhvillua në dhomën e saj të pritjes, ku edhe u filmua gjithcka.
Princesha në asnjë rast nuk pretendoi për thyerje të privatësisë.

Pas gjithë këtyre shembujve me të drejtë lind pyetja: Kur në Britaninë e Madhe djepin e demoktacisë botërore këto filmime nga gazetarët nuk janë cilësuar në asnjë rast shkelje të privatësisë përse në Shqipëri një gjykatës si zoti Bendo, merr guximin t’i quaje filmimet e “ Fiks Fare”  me zotin Pango si shkelje privatësie?
 
 
 
 

Top Channel