Reklamat, qeveria ul taksat e bashkisë

18/06/2010 08:40

Pa mbushur një javë nga deklarata e Kryeministrit se Bashkia e Tiranës aplikon taksa të larta dhe se do të ndërhyjë për t’i ulur, Ministria e Financave përgatiti draftin për miratim në qeveri.

Bëhet fjalë për disa ndryshime në projektligjin “Për sistemin e taksave vendore”, pikërisht te neni 35, që flet për tarifat e tabelave që vendosin subjektet private si identifikim apo reklamat anash rrugës etj.

Drafti është hartuar këto ditë dhe pritet të kalojë për miratim në qeveri. Taksat nuk do të kenë më rritje të shumës në varësi të madhësisë, por u vihet një kufizim.

Aktualisht, për Bashkinë e Tiranës bizneset paguajnë një tarifë prej 45 mijë lekësh të reja për metër katror në vit, kurse Ministria e Financave propozon një kufi madhësie prej 12 metrash katrorë, mbi të cilin aplikohet taksë fikse prej 540 mijë lekësh në vit.

Ndryshimet prekin edhe rajonet e tjera të vendit, duke nisur nga bashkitë kryesore, e deri te komunat.

Tjetër ndryshim prek edhe termat e shpjegimit për “tabelat për qëllime identifikimi”, që sipas ministrisë ka pasur keqkuptime dhe abuzime në aplikimin e taksave. Kujtojmë se niveli aktual i taksave, që Kryeministri i cilëson të larta, janë miratuar në shtator të vitit të kaluar nga Kuvendi i Shqipërisë, me shumicë demokrate dhe me propozim të Ministrisë së Financave.

Top Channel