Pogradec, pensionet përfiton vetëm një mes 3000 minatorëve

16/06/2010 08:20

Vetëm një nga 3000 ish-minatorë në zonën e Pogradecit përfiton nga vendimi i fundit i Këshillit të Punës lidhur me pensionet e minatorëve.

Sistemi i ri, që sipas kritereve njeh përfitimin e pagës së plotë të pensionit vetëm për ata ish-minatorë që aktualisht janë në marrëdhënie pune në këtë sektor, ka përjashtuar të gjithë ish-punonjësit e minierave të zonës, për faktin se aktualisht vetëm një prej tyre është në gjendje pune.

Kjo ka sjellë reagimin e Sindikatës së ish-Minatorëve në Pogradec, pasi janë 3000 ish-punonjës të minierave që ngelën jashtë skemës përfituese pas mbylljes së minierave që nuk janë më në funksion dhe për më tepër në kushtet kur pjesa më e madhe e atyre që kanë punuar në miniera nuk janë të aftë për punë.

Sipas kreut të Sindikatës së Minatorëve, Llazi Gërxhalli, vendimi është i kontestueshëm, pasi përjashton automatikisht të gjithë minatorët e zonës dhe nga verifikimet vetëm një nga këta punonjës i plotëson kushtet, për faktin se është i punësuar në të njëjtin sektor pas privatizimit.

Gërxhalli thotë se ish-minatorët nuk i plotësojnë dot vitet e punës dhe nuk janë në gjendje për të punuar ende për shkak të moshës dhe problemeve me shëndetin. Nga ana e Sindikatës së Minatorëve po hartohet një peticion me firma për të njohur rritjen e pagesës së pensionit dhe njohjen e statusit të minatorit. “Vendimi është absurd, pasi të paktën në zonën tonë nuk ka asnjë vlerë. Duhet që ish-minatori të jetë në kushte pune dhe për faktin se tani nuk ka më miniera apo ndërmarrje të këtij sektori shtetëror, pothuajse të gjithë janë të papunë. Nga minatorët e zonës na rezulton se kemi vetëm një person që përfiton pagesën e plotë të pensionit”, thotë Gërxhalli.

Në lista për të kontestuar vendimin janë pothuajse të gjithë minatorët që kanë punuar në minierat e Gurit të Kuq, Cervenagës e Alarupit. Ata kanë firmosur një peticion për të kërkuar kundërshtimin e vendimit të fundit lidhur me pagesat e ish-minatorëve dhe shprehen se krahas peticioneve do të organizohen në protesta masive. Ish-minatorët e Pogradecit paralajmërojnë se do të nisin protestat para Kryeministrisë, për faktin se në vite nuk ka pasur asnjë favorizim dhe nuk është bërë njohja e statusit.

Top Channel