Presidenca belge, përfiton Mali i Zi

14/06/2010 15:00

Mali i Zi, i cili u deklarua shtet i pavarur në vitin 2006, në një kohë që Shqipëria firmoste MSA me BE, sot vlerësohet si vendi më pranë celjes së negociatave për anëtarësim, duke ia kaluar madje dhe Maqedonisë.

Këtë e deklaroi ambasadori Jean de Ruyt, ndërsa prezantonte prioritetet e Presidencës Belge në Qendrën e Politikave Europiane.

“Me ish-Republiken Jugosllave të Maqedonisë ne kemi një problem të madh. Mund të kishim nisur negociatat nëse ajo do të kishte zgjidhur mosmarrëveshjen që ka me një nga vendet anëtare. Mendoj se Mali i Zi është me pranë celjes së negociatave sepse Komisioni do të paraqesë së shpejti opinionin e tij. Shqipëria ka kërkuar po ashtu statusin kandidat, e po vijon procesi që Komisioni të japë mendimin e tij”, ka deklaruar De Ryut.

Belgjika ka si objektiv të përcaktojë një datë për anëtarësimin e Kroacisë gjatë mandatit të saj, si dhe të shqyrtojë kërkesën e Beogradit për statusin kandidat.

Përvec Ballkanit, BE përballet me kërkesat gjithnjë e në rritje të fqinjëve të saj si Turqia, Rusia, Ukrahina, Gjeorgjia për lëvizje të lirë.

Në këtë kuadër ambasadori belg tha se nevojitet forcim i koordinimit brenda sistemit Schengen.

Përpara zgjerimit me rajonin, prioritete kyce për presidencën e ardhshme të BE-së, renditen konsolidimi i reformës institucionale në përputhje me Traktatin e Lisbonës, kriza financiare dhe qeverisja ekonomike, duke përfshirë këtu dhe ndryshimet klimatike, si dhe përqafimi i legjislacionit të vendeve anëtare në fushën e divorcit.

“Është e qartë se entuziazmi për zgjerimin nuk është sot i njëjti si përpara, jo vetëm për pasojë të situatës ekonomike por edhe për shkak se për një zgjerim të mëtejshëm, ne duhet të përshtasim strukturat tona. Për këtë arsye kemi Traktatin e Lisbonës, që duhet ta zbatojme”, ka pohuar De Ryut.

Belgjika merr Presidencën e radhës së BE për 6 muajt e ardhshëm nga data 1 korrik 2010.

Top Channel