Kriza, Brukselit i sos durimi

14/06/2010 19:40

“Kriza aktuale” në Shqipëri përmendet për herë të parë në konkluzionet e ministrave të Jashtëm europianë.

Ashtu sic pritej, vendet anëtare kanë shprehur shqetësimin “mbi situatën politike në Shqipëri që vijon pas zgjedhjeve të 28 qershorit 2009”.

Në dokument vlerësohet kthimi i opozitës në Parlament, falë ndërhyrjes së krerëve të dy grupimeve politike të PE, Daul dhe Schultz, dhe nënvizohet se kjo iniciative e tyre është mbështetur nga përfaqësuesja e lartë dhe komisioneri Fyle.

27 vendet anëtare duket se kane humbur durimin e tyre për këtë cështje, pasi theksojnë në konkluzionet e tyre se:

“Është momenti i fundit për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës aktuale, mbi një bazë që do të respektohet në periudhë afatgjate”.

Vendet anëtare pranojnë në njëfarë mënyre dështimin e iniciativës së Parlamentit Europian teksa shprehen:

“Këshilli shpreh keqardhjen që iniciativa nuk ka gjetur ende mbështetje të mjaftueshme në mënyrë që qeveria shqiptare dhe opozita të kapërcejnë diferencat mes tyre”.

Në këtë mesazh ndaj Tiranës, dy forcave kryesore politike në vend, iu bëhet e ditur se është në varësi të konsensusit mes tyre, përparimi i mëtejshëm i Shqipërisë drejt BE-së.

Në përfundim shkruhet: “Këshilli thekson se është përgjegjësia e qeverisë së Shqipërise, së bashku me opozitën, që të gjejnë sic duhet, në një mënyrë transparente dhe në respekt të plotë me Kushtetutën shqiptare, zgjidhjet dhe rruget sesi vendi të ecë përpara drejt BE-së”.

Këshilli i ministrave të Jashtëm inkurajojnë Shqipërinë për të vijuar me reformat për zbatimin e MSA-së, ndërsa për statusin kandidat, shprehet se do t’i rikthehet diskutimit pasi të shprehet opinioni i Komisionit, por kujton se vlerësimi i kandidatures do të bëhet në respektim të kritereve të Kopenhagenit.

Deri më sot, Komisioni ka deklaruar se vendi nuk plotëson kriterin kryesor të Kopenhagenit, atë politik.

Top Channel