INSTAT:Para nën dorë kujdesin shëndetësor

14/06/2010 08:15

Studimi i fundit demografik dhe shëndetësor i kryer në Shqipëri për vitet 2008-2009, nga Instituti i Statistikave tregon se rreth 87 për qind e femrave shqiptare dhe 80 për qind e meshkujve raportojnë ankesa për kujdesin shëndetësor.

Problem më i zakonshëm është pagesa nën dorë. Rreth 56 për qind e femrave dhe 63 për qind e meshkujve të intervistuar nga INSTAT, thonë se shqetësim për ta është dhënia e parave në këmbim të kujdesit shëndetësor. Mbi 55 për qind e popullsisë thotë se vuan shqetësimin se nuk ka furnizim ose pajisje në dispozicion për të kryer një vizitë mjekësore. Problem mbetet edhe mungesa e ilaçeve.

Sipas INSTAT për këtë zë ankohen mbi 50 për qind e popullsisë. Përgjigjen se “nuk ka staf shëndetësor në dispozicion” e kanë dhënë 50 për qind të femrave dhe 45 për qind e meshkujve. Panoramë e zymtë edhe për sigurimin shëndetësor. Sipas studimit te INSTAT, 79 dhe 71 për qind e femrave dhe meshkujve ne Shqipëri thonë se nuk janë të mbuluar nga asnjë lloj sigurimi shëndetësor.

Rreth 29 për qind e femrave dhe 26 për qind e meshkujve, që janë drejtuar në institucione shëndetësore, u është propozuar që të bëjnë një pagesë informale për kujdesin shëndetësor. Mbi 60 për qind e shqiptareve të pyetur raportuan se gjatë 12 muajve të fundit paguan për të marrë shërbimin mjekësor që duhet ta marrin falas. Midis atyre që paguan për kujdesin shëndetësor, arsyeja që raportohet më shpesh është marrja e shërbimeve me cilësi më të mirë.

Top Channel