Rama: Krizë dhe borxhe

13/06/2010 16:15

Nga Shkodra kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama theksoi se mazhoranca aktuale ka frikë të hapë kutitë edhe në këtë qytet të cilin e konsideron si bastion të saj historik.

Për liderin e opozitës ky është një tjetër tregues i manipulimeve të mëdha që i janë bërë votave të shqiptarëve ndaj zoti Rama rikonfirmoi qendrimin për të mos bërë kompromis që mbyll rrugën e transparencës së vërtetë të zgjedhjeve.

“Në funksion të ndarjes një herë e mirë nga një epkë zgjedhjesh të deformuara dhe të kontestuara, të cilën ju këtu në Shkodër dhe në këtë qark në përgjithësi e keni jetuar nga afër zgjedhje pas zgjedhje si një proçes tensioni dhe si një proçes konflikti të vazhdueshëm me gjithëfarë forcash e gjithëfarë duarsh që janë futur në mënyrë të paligjshme në proçesin zgjedhor dhe në kutitë e votimit”, u shpreh Rama.

Kreu i Partisë Socialiste theksoi se beteja opozitare ka për qellim t’i japë fund epokës ku kutitë e votimit mbushen me korrupsion e kërbaç, siç tha ai, për të prodhuar qeveri ilegjitime siç është ajo aktuale.

“Kemi propozuar dhe i qëndrojmë propozimit tonë që transparenca e kutive të votimit të mos jetë një rast i vetëm këtë herë, por të jetë një prerogativë e çdo parlamenti dhe e çdo opozite në të gjitha rastet”, tha më tej kreu i Selisë Rozë.

Sipas zotit Rama kjo situatë ka ndikuar edhe më shumë në krizën ekonomike duke rrënuar shqiptarët në çdo cep të vendit. Për kryesocialistin, qeveria aktuale ka zhytur vendin në një borxh marramendës për të mbrojtur interesat e një grupi njerëzish të cilët përfitojnë nga pushteti aktual. Lideri i opozitës paralajmëroi edhe një tjetër aksion të qeverisë të cilin ai e quajti çmendurinë e radhës së kësaj qeverie të dështuar.

“Për marrjen e një huaje të brendshme që vetëm për qershorin shkon në 300 milion dollarë, ne do t’i kundërvihemi kësaj manovre me gjithë forcën e zërit dhe të argumentave tona. Ajo që është e sigurtë është që qeveria e ka humbur kontrollin mbi ekonominë, ka humbur kontrollin e punëve të vendit dhe është kthyer thjesht në një grup interesi që punon sot për sot dhe mundohet me çdo kusht të rrijë në këmbë duke i faturuar një borxh të papërballueshëm për të nesërmen”, deklaroi Rama.

Top Channel