Greqi, shqiptarit i refuzohet regjistrimi i fëmijës

13/06/2010 08:30

Vazhdon ende diskriminimi i emigrantëve në shtetin fqinj. Mediat greke raportojnë se racizmi në sektorin shtetëror është i pashmangshëm dhe se emigrantët, sidomos ata shqiptarë, përballen shpeshherë me fenomene të tilla.

Sipas faqes “Newsit.gr”, rasti i fundit është ai i një emigranti shqiptar nga Lushnja, i cili shkoi të regjistronte vajzën e tij në kopshtin e lagjes “Nea Halkidhona”, por hasi në “kundërshtimin” e drejtuesve atje. Sipas mediave greke, shqiptari ishte ndeshur me të njëjtin problem edhe një vit më parë, kur kishte dashur të regjistronte djalin e tij në kopsht.

Aq e madhe u bë kjo çështje sa Ministria e Arsimit u detyrua të urdhëronte drejtuesit e kopshtit për regjistrimin e vogëlushit shqiptar. Në rastin e dytë, shqiptari nuk e priste të kishte pengesa, pasi ato i kishte kaluar një vit më parë, por nuk ndodhi kështu. Kur shkoi për të bërë regjistrimin dhe punonjësja i kërkonte të dorëzonte një dokument për të vërtetuar vendin e banimit, por nuk pranoi të shihte faturën e pagesës së ujit. Ajo i kërkonte diçka tjetër, por pa e saktësuar se çfarë.

Pas sorollatjeve, shqiptarit nuk i ka mbetur gjë tjetër veç ta denonconte rastin në media. Fillimisht gazetarët kanë komunikuar me punonjësen, e cila e ka mohuar të kishte ndodhur diçka e tillë dhe u detyrua, për të mos u bërë problem edhe më i madh të regjistronte fëmijën. Ky është një nga dhjetëra raste, kur emigrantët nuk janë shërbyer për shkak të racizmit në Greqi.

Top Channel